Lazio pavarësisht se nuk arriti të kualifikohej në “Champions League” vlerësohet pozitivisht për sezonin që sapo u mbyll. Kjo për meritë të gjithë klubit por në veçanti të futbollistëve, të cilët falë aftësive të shfaqura janë vënë në shënjestër nga shumë klube të mëdha europiane.

Lidhur me merkaton në dalje ka folur drejtori sportiv Igli tare, i cili së fundmi ka marrë çmimin e “Football Leader”. Shqiptari ka qetësuar disi tifozët e Lazio-s sa i takon sulmuesit Ciro Immobile, po gjithashtu ka pranuar se mesfushori Milinkoviç-Saviç mund të shitet.

“Mund t’ju siguroj se Immobile ndihet mjaft mirë në Romë dhe do të vijojë të jetë pjesë e Lazios edhe për sezonin e ardhshëm. Është goleadori ynë dhe do të vijojë të shënojë për fanellën e Lazios. Sa i përket Milinkoviç-Saviç, është fakt që te Lazio ai u shndërrua në një nga mesfushorët më të mirë në botë, ndaj do të jetë e vështirë ta mbajmë. Gjithsesi mbetemi në pritje të ofertave, pasi nuk e kemi detyrim të shesim lojtarë”,-deklaroi Tare, raporton “Calciomercato”.

Drejtori Sportiv i Lazios foli edhe për sulmuesin brazilian Felipe Anderson, duke treguar se së shpejti do të takohet me agjentët e tij, për të studiuar mundësinë e një qëndrimi te bardhekaltrit.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb