Lista Serbe ka dalë me një sqarim pasi që nëntë deputetë të rinj të kësaj partie u betuan sot në Kuvendin e Kosovës, duke zëvendësuar kështu deputetët e dorëhequr ditë më parë.

Në sqarimin e tyre, Lista Serbe ka theksuar se “vendimi i sotëm strategjik ka penguar drejtpërdrejt realizimin e planit të Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm për të ndryshuar Kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e popullit serb në Kosovë”.

Më tej thuhet se synimi i Kurtit dhe i ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviçit ishte të votonin ndryshimet kushtetuese.

“Synimi i Kurtit dhe Rada Trajkoviçit, por edhe të tjerëve si ajo, ishte të votonin ndryshimet kushtetuese që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, heqjen e pronave nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe, të drejtën e përfaqësimit në institucione etj”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Partia më e madhe serbe në Kosovë e cila ka mbështetjen edhe të Beogradit zyrtar, ka shtuar se ky vendim në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri, si kundërpërgjigje ndaj shkeljes së marrëveshjes së Brukselit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: