TIRANË- Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka reaguar pas informacioneve të publikuar për koncesionin e targave me çip. Sipas këtyre informacioneve një sipërmarrëse i ka kërkuar Ministrisë koncesionin për një projekt 35-vjeçar. Ndërkohë që MTI sqaron se nuk ka një vendim për këtë çështje por sipas ligjit po vlerësohet një propozim i pakërkuar sipas ligjit.

“Duke marrë shkas nga interesimi i medias mbi një informacion të pasaktë të ditëve të fundit për një të ashtuquajtur “Koncension të targave me çip”, MTI sqaron opinion publik sa më poshtë: Pranë ministrisë është paraqitur një ofertë e pakërkuar për të investuar në një sistem monitorimi të trafikut, midis të tjerave, edhe nëpërmjet vendosjes së një çipi në automjetet e riregjistruara në Republikën e Shqipërisë. Ky propozim është paraqitur nga kompania Porta Saber sh.p.k.. Jo vetëm që Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nuk mund të ndalojë subjekte të ndryshme private për të paraqitur propozime të pakërkuara, por kjo Ministri ka detyrimin ligjor për të ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga ligji deri në marrjen e vendimit për vlerësimit për çdo propozim të pakërkuar. Edhe në rastin në fjalë, MTI ka ndjekur thjesht dhe vetëm procedurën ligjore, ndërkohë që nuk ka asnjë vendim në lidhje me këtë propozim”, deklaron MTI.

Më tej, sqarohet se MTI, sëbashku me pjesëmarrjen e institucioneve të tjera qendrore, ka ngritur një grup pune që në bazë të ligjit ka për qëllim të vlerësojë interesin publik të kërkesës së paraqitur, si dhe pranueshmërinë teknike dhe ekonomike të saj. “Janë kontaktuar mes të tjerësh edhe Autoriteti i Konkurrencës dhe Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave Personale, të cilët gjithashtu duhet të shprehin opinionin e tyre. Sot, nuk ka asnjë vendim për ofertën e paraqitur, as nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, as nga institucionet e tjera përgjegjëse.  Sot, ka vetëm një procedurë për vlerësimin e propozimit të pakërkuar, vlerësim të cilin ligji e kërkon për çdo propozim të pakërkuar që dorëzohet në Ministri”, thuhet më tej.

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës garanton çdo sipërmarrës se propozimet e tyre do të shqyrtohen me transparencë dhe profesionalizëm të plotë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, por gjithmonë në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe në shërbim të shtetasve të Republikës së Shqipërisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: