Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Fatos Tarifa shprehet se nuk do të ishte kundër nëse kreu i shtetit shqiptar do të merrte pjesë në ceremoninë për fundin e luftës së dytë botërore që mbahet në maj në Rusi, ceremoni që do bojkotohet në fakt nga vendet perëndimore. “Ceremonia për shënimin e 70-vjetorit të fitores në luftën e dytë botërore përfaqëson një ngjarje të rëndësishme, një përvjetor që do të duhej të festohej nga të gjitha fuqitë fituese të luftës së dytë botërore”, shprehet diplomati shqiptar në emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në News24.

“Nuk do të isha kundër që kreu i shtetit shqiptar të merrte pjesë në këto festime. Sipas tij është një ngjarje e madhe ku ne kemi qenë pjesë e atij koalicioni dhe nuk mundet të mos jemi pjesëtare dhe të festojmë një fitore kaq të madhe të përbotshme mbi rrezikun më të madh të kohës siç ishte fashizmi kur kemi luftuar, kemi derdhur gjak dhe kemi dhënë jetë njerëzish për këtë fitore”, shprehet Tarifa.

Sipas tij, fitorja mbi fashizmin ka qenë një prej ngjarjeve më vendimtare të shekullit të kaluar, një ngjarje e rëndësishme që duhet të celebrohet nga të gjithë si SHBA, Britania e Madhe, Franca, dhe vendet që u bashkuan me koalicionin antifashist dhe që dolën të fituar nga ajo luftë.

“Rusia e sotme si pjesë e Bashkimit Sovjetik ka të drejtën e saj dhe duhet me siguri të ndihet krenare që ka qenë ndoshta pjesa më e vendosur e këtij koalicioni dhe që mbajti mbi vete barrën më të madhe të luftës së dytë botërore. Unë mendoj se ajo ngjarje duhet celebruar.Do të thoja se nuk do te ishte gabim që qeveritë europiane të merrnin pjesë në festimet e kësaj ngjarje pavarësisht se festimet zhvillohen në Moskë, pavarësisht politikës së sotme që ndjek Moska ndaj fqinjëve të saj dhe vështirësive të mëdha që ka Rusia e sotme me BE-në dhe SHBA-në, kontradiktat politike dhe marrëdhëniet diplomatike që kanë rënë vitet e fundit, nuk do të duhej të pengonin festimet e kësaj ngjarje kaq të madhe botërore”, shprehet Tarifa.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: