Grupet e kontrollit në raportet përfundimtare të punës së Task-Forcës Antikorrupsion kanë rekomanduar 21 masa disiplinore, prej të cilave 9 largime nga puna për: 5 specialistë në Zyrën Vendore të regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër; 1 përgjegjës sektori dhe 1 specialist në ALUIZNI Shkodër.

Këto janë rezultatet e task-forcës antikorrupsion të bëra të ditura nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. “Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës Qendrore u vendos shkarkimi i menjëhershëm i Regjistruesit Shkodër dhe specialistes së kësaj zyre. Nga inspektimet e kryera me grupe ndërinstitucionale, janë evidentuar shkelje dhe abuzime të cilat përmbajnë elementë të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, për të cilët janë kryer kallëzimet penale në organin e Prokurorisë së Shkodrës”, njoftoi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në një deklaratë për mediat në Kryeministri.

“Angazhimi i përbashkët institucional nëpërmjet institucioneve ligj-zbatuese vazhdon, duke treguar vendosmëri të shtetit për të goditur aktet korruptive dhe abuzimet me detyrën të administratës publike në kurriz të qytetarëve”, shprehet ministrja e Drejtësisë.


Ministrja e Drejtësisë Gjonaj u shpreh se veprimtaria e Task-Forcës Antikorrupsion ka vijuar me kontrolle dhe inspektime në institucionet që ofrojnë shërbime ndaj publikut, sipas një skeme të ndërtuar mbi bazën e denoncimeve të bëra nga qytetarët, në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqeduam.al.

Duke bërë bilancin e javës në luftën kundër korrupsionin, Gjonaj tha se “vetëm në dy javët e para të muajit shtator, Task Forca Antikorrupsion, e ka përqendruar veprimtarinë e saj me inspektime të detajuara në disa institucione të rrethit të Shkodrës si: ZVRPP Shkodër. ALUIZNI Drejtoria Rajonale Shkodër, Spitali Rajonal Shkodër, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Rajonit Verior, Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës Shkodër

“Konkretisht, janë kryer kallëzime penale për punonjësit e niveleve të ndryshme, ndër të cilët janë: Ish- Drejtori i Spitalit Rajonal Shkodër, i cili dyshohet të ketë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me veprime që kanë cënuar garantimin e ushtrimit të veprimtarisë së institucionit në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, shkelje të rënda në procedurat e evadimit të mbetjeve spitalore si dhe garantimin e furnizimit me medikamentet e nevojshme”, tha Gjonaj.

Po ashtu ajo tha se “Ish – Drejtori i ALUIZNI Shkodër, 3 ish – përgjegjës sektori, 1 përgjegjës sektori dhe 1 specialist, të këtij institucioni, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke legalizuar objekte në mos respektim të procedurave për rastet e legalizimeve si dhe në shkelje të afateve”.

Ministrja thekson se “Task Forca Antikorrupsion, mbetet e fokusuar në vlerësimin maksimal të çdo denoncimi apo informacioni të ardhur nga qytetarët, për të verifikuar shqetësimet apo problemet e tyre dhe për të vënë përpara përgjegjësisë elementët e korruptuar në institucionet e shtetit”.

Ministrja ftoi qytetarët të denoncojnë në portalin shqipëriaqëduam.al.
“Qytetarët duhet të vijojnë me denoncimet e tyre pranë platformës shqipëriaqëduam.al, me qëllim që të luftojmë korrupsionin dhe për të mos lënë asnjë mundësi për të gjithë ata elementë që e shohin punën në administratën shtetërore si një mundësi për të krijuar përfitime të paligjshme”, u shpreh Gjonaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb