Task Forca Antikorrupsion gjatë kësaj jave ka kryer kontrolle në zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Berat duke marrë shkas nga ankesat dhe denoncimet e qytetarëve.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha sot se në përfundim të kontrollit u konstatuan shkelje të afateve për trajtimin e praktikave dhe përpunimit të kërkesave të qytetarëve të cilat kanë çuar në mohimin e së drejtës për të marrë shërbime në kohë dhe me cilësi. “Bazuar në shkeljet e sipërpërmendura u rekomanduan disa masa disiplinore për punonjësit e kësaj zyre vendore: vërejtje me shkrim për tre përgjegjës sektori, 2 përgjegjës zone, përgjegjësin e sektorit të arkivës dhe administrimit të informacionit, si dhe një specialiste të kësaj zyre”, tha Gjonaj.

Gjithashtu, u rekomanduan masa administrative me qëllim përmirësimin e veprimtarisë së zyrës vendore Berat për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara ndaj qytetarëve.

Gjithashtu në vazhdën e inspektimeve të kryera më herët në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës masat vazhdojnë.

“Pas inspektimit është depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës kallëzim penal për e dyshuara të “shpërdorimit të detyrës” si dhe të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, të kryera në bashkëpunim, për punonjësit e zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Durrës.
Rezulton se, me veprime apo mosveprime, janë thyer rregullat e parashikuara nga aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, si dhe nga veprime të cilat kanë çuar në asgjësimin e akteve e kartelave të pasurive të paluajtshme.
Nisur nga një tjetër ankesë e ardhur pranë portalit shqipëriaqëduam.al lidhur me veprimtarinë e zyrës përmbarimore shtetërore Fier, është shkarkuar nga detyra sot kryetari i kësaj zyre Arjan Cepele”, deklaroi Gjonaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb