News 24 dhe Balkanweb kanë denoncuar me fakte dhe dokumente prej disa ditësh emërimet nepotike dhe të personave të arrestuar për shpërdorim detyre per favorizim të pikave të bixhozit nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Ceno klosi.

Njëri prej tyre është Trëndafil Tarja i cili nga inspektor i thjeshtë i arrestuar në vitin 17.04.2015 sipas njoftimit të Policisë së Shtetit me akuzën “shpërdorim detyre” e kryer në bashkëpunim,  është graduar nga Ceno Klosi drejtor i Verifikimit dhe Kontrollit në Terren.

Në një reagim të drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve pranohet se ky person është arrestuar, por më pas i është pushuar çështja nga gjykata për mungesë provash, me gjyqtarë të shkarkuar nga vettingu.

News 24 dhe Balkanweb nuk kanë pretenduar se ky person është i dënuar, pasi në këtë vend pandëshkueshmëria, sifdomos para Reformës në Drejtësi për zyrtarët e korruptuar të këtij shteti ka qenë në nivelin zero, por se është arrestuar.

Në njoftimin e policisë së 17 prillit 2015 thuhet se “Si rezultat i këtij hetimi, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë së Gjykatës së Rrethit  Gjyqësor Tiranë për shtetasit e mëposhtëm: 5. Trëndafil Tarja, 36 vjeç, banues në Tiranë, i akuzuar për veprat penale të “Shperdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, me detyrë Specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Shtetasit e lartëpërmendur, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, duke shpërdoruar detyrën janë përfshirë në afera korruptive me kompani të basteve sportive dhe subjekteve të ndryshme të lojrave të fatit, të cilët kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma parash, që variojnë nga 90.000 deri në 100.000 lekë të rinj, në periudha te ndryshme kohore”.

E megjithatë, teksa mijëra të rinj të sapodiplomuar me nota të larta, nuk gjejnë asnjë hapësirë për tu punësuar në administratë dhe detyrohen të emigrojnë jashtë Shqipërisë, Tatimet “peshkojnë” zyrtarë të arrestuar e me precedentë penalë për t’i punësuar. Dëshmi të tilla penaliteti i janë servirur opinionit publik edhe për Elvis Roshin apo Agim Kajmakun, zyrtarë të lartë socialistë që janë arrestuar nga autoritetet e vendeve fqinje për drogë, por që u promovuan nga Rama në poste të larta të administratës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb