Nga: ERJOLA JATA*
TIRANE – Administrata tatimore ka nisur në terren prej 4 ditësh aksionin kundër informalitetit. 125 grupe dhe 310 inspektorë kanë zbarkuar në bregdet. Në një intervistë për ‘News24’ Drejtor i shërbimit ndaj tatimpaguesve Erjon Prifti thotë se ky aksion është shtrirë në zonat bregdetare nga Shkodra në Sarandë, një aksion që ai e ka quajtur informues.

“ Aktualisht ndodhen 125 grupe në terren rreth 310 inspektorë. Këto punën më të madhe të përqëndruar në zonën bregdetare duke filluar që nga Shkodra në Sarandë. Nuk janë lënë mënjanë qytetet e tjera si Tirana, Elbasani, Korça apo dhe zona të caktuara që kanë një intensitetit turistik të caktuara”- deklaroi Prifti.

Por për të gjithë këto zona do të ketë edhe një rivizitim të dytë.

“Faza e dytë përsëri një rivizitim të të gjithë subjekteve, kuptohet jo vetëm në zonat bregdetare por në të gjithë vendin për të parë nëse i kanë plotësuar detyrimet e tyre apo jo kjo pasi ne gjatë këtyre 4 ditëve kemi vënë re moslëshim i kuponit tatimorë përkundrejt shërbimeve dhe mallrave të shitura, mos deklarimi i punonjësve pavarësisht se subjektet janë sezonalë, kryesisht flasim për zonat turistike u është lënë detyrë. Në vazhdimësi dhe duke parë sesi do eci ecuria e fazës së parë do të planifikojmë dhe rinisjen kuptohet që dhe ajo do të jetë shumë e shpejtë. Ato që janë vizituar për shembull këto 4 ditë të para mund të rivizitohen 15 ditëshin e dytë të gushtit.”- u shpreh Prifti.

Për tu ardhur në ndihmë të gjithë tatimpaguesve me detyrime të prapambetura, Drejtoria e Përgjithshme E Tatimeve u ka kërkuar degëve rajonale të vijojnë zbatimin e skemës së pagesës me këste të borxheve tatimore. Prifti sqaron se biznesi që bën një marrëveshje për pagimin me këste të detyrimit do të përjashtohet nga gjobat për pagesë të vonuar të detyrimeve.

“Duke vënë re pra një ngarkim të padrejtë të tatimpaguesve nga ana e administratës këtë gjë DPT ka nxjerrë urdhrin, duke thënë që të gjithë punonjësit e administratës që kanë lidhur marrëveshje me këste me tatimpaguesin do duhet ti rishikojnë me kujdes të shuajnë të gjitha gjobat të cilat janë ngarkuar padrejtësisht, përkundrejt atyre tatimpaguesve të cilët kanë lidhur marrëveshjen e kësteve për pagimin e të detyrimeve dhe që i kanë respektuar këto marrëveshje me këste. Kjo bën të mundur që shumë tatimpagues të cilët janë ngarkuar padrejtësisht me gjoba të çlirohen nga këto gjoba dhe të ketë një situatë më në normale”- deklaroi Prifti.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkon gjithashtu nga administrate rajonale të tregohet e kujdesshme në zbatimin e ligjit për faljen e gjobave të atyre bizneseve që kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore deri në shtator 2015. Në rast të kundërt Prifti thotë së Drejtoria e Përgjithshme do të marrë masa administrative ndaj tatimorëve..

“ Është vënë re që një pjesë e tatimpaguesve nuk kanë përfituar nga kjo falje gjë që bën që në analizat tona të brendshme të identifikojmë që një pjesë e caktuar e administratës nuk ka reaguar apo nuk ka zbatuar drejtë ligjin dhe ka vazhduar të dëmtoj tatimpaguesin. Kuptohet ky është në proces analize dhe identifikimi përse ka ndodhur kuptohet që për të gjithë ata inspektorë tatimorë që nuk kanë dashur të zbatojnë ligjin do të ketë masa administrative”- u shpreh Prifti.

Hapi tjetër i rëndësishëm që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ndërmarrë për kontrollin e punës së tatimorëve në të gjithë vendin është zbatimi nga ana e tyre edhe të vendimit të gjykatës kushtetuese për anulimin e supergjobave ndaj bizneseve të vendosura gjatë fazës së parë të luftës kundër informalitetit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb