TIRANË- Deputeti socialist, Taulant Balla fiton gjyqin për shpifje me Argita Berishën. Kjo gjë është bërë e ditur nga Partia Socialiste, e cila përmes një njoftimi thotë se Gjykata e Apelit me një trupë gjykimi të kryesuar nga Zamir Poda ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë mbi padinë për shpifje të Argita Berishës.

Deputeti Taulant Balla kishte akuzuar vajzën e ish-kryeministrit Sali Berisha për korrupsion në rastin e biznesmenit Zafar Ansar për 3 milionë euro. Gjithashtu edhe për pagesat 144 milionë lekë në vit si pedagoge.

REAGON MALLTEZI: VENDIMI I PAVLEFSHËM, NUK ISHA E PRANISHME
Pas njoftimit të dhënë nga Partia Socialiste se deputeti Balla ka fituar gjyqin ndaj vajzës së ish-kryeministrit, ka reaguar vetë zonja Argita Malltezi. Në një deklaratë për mediat, Malltezi thotë se Gjykata e Apelit e ka rikthyer për rigjykim çështjen. Sipas saj Gjykata është angazhuar në një akt falsifikimi. Malltezi pohon gjithashtu se nuk ka qenë e pranishme në seancë pasi ajo është mbajtur 2 orë para njoftimit.

“Për të justifikuar zhvillimin e seancës dy orë më herët se njoftimi, gjyqtari relator Zamir Poda ka futur në dosje një procesverbal me orar të ndryshuar, por ky falsifikim provohet nga sistemi i regjistrimit audio të seancës”, thotë ajo, duke shtuar se “nuk ka gjykatë që mund ta konsiderojë të vlefshëm vendimin e dhënë sot nga Apeli”.
Malltezi deklaron se do të ndjekë ligjërisht shkeljet e kolegjit gjyqësor.

DEKLARATA E PLOTË
Sot kolegji i Gjykatës së Apelit ka vendosur rikthimin për rigjykim të shpifjes së deputetit Balla ndaj meje. E kam të pamundur të komentoj mbi shkaqet, pasi në një rast të paprecedent në njohuritë e mia, gjykata u angazhua në një akt falsifikimi dhe ende nuk jam njohur me arsyet mbi të cilat bazohet vendimi, por në përgjigje të deklaratës për shtyp të PS sqaroj sa më poshtë:

Që kur ka nisur shqyrtimi në apel i ankesës së Ballës, para gati dy vjetësh, janë zhvilluar një maratone prej 18 seanca, 14 prej të cilave janë shtyrë me kërkesa krejtësisht të pathemelta të Ballës. Kjo ndodhi edhe seancën e kaluar, në të cilën Taulant Balla kërkoi shtyrje; trupi gjykues iu bind kërkesës dhe caktoi seancën e radhës  më 10 mars, ora 12.50.

Sot, në mënyrë krejt të papritur trupi gjykues u mblodh në ora 10:50 dhe shpalli vendimin. Unë nuk isha e përfaqësuar, pasi njoftimi në sallën e gjyqit ishte dhënë për në orën 12.50.

Për të justifikuar zhvillimin e seancës dy orë më herët se njoftimi, gjyqtari relator Zamir Poda ka futur në dosje një procesverbal me orar të ndryshuar, por ky falsifikim provohet nga sistemi i regjistrimit audio të seancës. Gjyqtari Poda dhe sekretarja pohojnë në mënyrë të përsëritur në këtë regjistrim audio orarin e seancës së sotme në ora 12.50. Në sfondin audio dëgjohet Taulant Balla që bie dakord me orarin 12:50.

Në seancën e sotme, me orar të manipuluar në 10.50, ka qenë prezent vetëm Taulant Balla.

Balla ka arsye të shqetësohet për shpifjet dhe të bëjë zhurmë për të mbuluar falsifikimet, por e ftoj që të ruajë qetësinë dhe avokati i tij t’i shpjegojë se nuk ka gjykatë që mund ta konsiderojë të vlefshëm vendimin e dhënë sot nga Apeli. Sikundër garantoj që shkeljet e kolegjit gjyqësor do t’i ndjek ligjërisht në mënyrën më rigoroze.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb