Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një takim me gratë kryefamiljare në Elbasan.

Balla gjatë fjalës së tij, u shpreh se PS do të vazhdojë të mbështesë familjet në nevojë.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim familjet në nevojë jo vetëm përmes skemës së ndihmës ekonomike, që ka qenë dhe mbetet një prej instrumenteve. Gjatë pandemisë, ne në Kuvendin e Shqipërisë, unë, Evisi dhe disa nga kolegët e mi votuam për një rritje shumë  ndjeshme të fondit të ndihmës ekonomike. Alokuuam 25 milion dollarë që i dhanë mundësi gjithë bashkive dhe gjithë institucionit të asistencës së ndihmës ekonomike, që të dyfishojmë ndihmën ekonomike për çdo familje.

Unë e di që ndihma ekonomike është thjesht një instrument për të shëruar sado pak plagën që vjen nga varfëria. Fokusi ynë në mandatin e ri do të jetë sa më shumë mundësi punësimi për vajzat, gratë, të cilat janë gjithmonë e më shumë të predispozuara që të goditen nga efektet negative të varfërisë.

Sa më shumë ne të rrisim rolin e grave në politike, përfaqësimin e grave në Kuvendin e Shqipërisë, aq më e mirë bëhet politika, aq më e mirë bëhet shoqëria shqiptare, aq më e vëmendshme bëhet vendimmarrja në dobi të familjes, në menyrë të veçantë të familjeve në nevojë. Prandaj ne si PS kemi zgjedhur në listën tonë të deputetëve të Elbasanit, 5 gra të cilat kanë një vlerë të veçantë në shoqërinë tonë të Elbasanit.

Prandaj duam t’i kthejmë një përgjigje atyre që duan të rimarrin qeverisjen e vendit, që s’kanë për ta marrë kurrë njëherë.  Si ta linim Spitalin e Elbasanit, ashtu magazinë? Si ta linim kirurgjinë me bisturitë që na kishte lënë Enveri nga miqësia e tij me Kinezët? Çdo familje duhet të dëgjojë zërin e grave, se gratë janë shumë më të qarta se burrat. Gratë e dinë shumë mirë që vetëm me PS dhe Edi Ramën mund të vazhdojë ky transformim që ka nisur”, tha Balla.

Ai shtoi se PS dallon nga partitë e tjera sepse mbështet shtresat në nevojë dhe ndërmerr politika që të ndihmojnë ata që fitojnë më pak.

“Ne kemi nisur një betejë që është në zhvillim e sipër. Falë Edi Ramës ne jemi sot në kushtet që po hapemi. Goditja e pandemisë ishte shumë e madhe. Rimëkëmbja e ekonomisë është sot objektivi ynë themelor. Në Librazhd, Elbasan, ne po investojmë prej vitesh në rikonstruksionin e banesave të famileve të varfra. Ne sot kemi me dhjetra familje, të cilat janë dëshmitare të kthimit të vëmendjes të qeverisë tek ata që janë më të varfër. Sepse ky është dallimi mes PS dhe kundërshtarëve tanë, ne jemi parti e shtresave në nevojë dhe çdo politikë që ne kemi bërë ka pasur në parim të ndihmojë ata që fitojnë më pak dhe duke taksuar ata që fitojnë më shumë. Luli, Monika, Saliu dhe Iliri thonë të paguajnë taksa njëlloj të gjithë. Si mund të paguajë të dy të njëjtën taksë si Kryeministri dhe pastruesja e kryeministrisë?

Unë dua sot tu jap fjalën time bashkë me Evisin dhe gjithë kolegët e mi,  që ju nuk keni për të qenë asnjëherë vetëm, sikur nuk keni qenë deri më sot, asnjëherë nuk do të jeni vetëm dhe bashkitë tona, shërbimi ynë social dhe të gjithë shërbimet e tjera janë në dispozicionin tuaj”, përfundoi Balla.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: