Nga: ZONJA VJOLLCA*

400 gr mish i grirë
1 kokërr qepë
2 speca me ngjyra
2 karrota
250 gr kërpudha
250 gr oriz
1 lugë gjelle gjalpë
3 lugë gjelle vaj ulliri
Kripë
Piper i zi
Majdanoz

Për beshamelin:
50 gr gjalpë
50 gr miell
500 ml qumësht
Kripë
Piper i zi
Arrë moskat
50 gr djathë pice

Fillimisht vendosim orizin të ziejë por jo si zakonisht në masën 1 oriz 2 ujë, por në raport 1 oriz 1 ½ ujë duke shtuar në tenxhere dhe një lugë gjelle gjalpë me qëllim që orizi të mbetet pak i fortë (aldente) pasi proçesi i gatimit do të vazhdojë edhe në furrë. Në një tigan të thellë me vaj ulliri kaurdisim qepën, sapo qepa të fillojë të zbutet shtojmë karrotat të prera në kubikë të vegjël, mishin e grirë dhe kërpudhat. I kaurdisim derisa mishi të gatuhet, në fund shtojmë specat, kripë, piper të zi dhe majdanoz të grirë imët. Më pas në një tavë shtrojmë fillimisht orizin më pas kimën e përgatitur me perime. Përgatisim beshamelin duke kaurdisur miellin me gjalpë, sapo mielli të ndryshojë ngjyrë shtojmë qumështin dhe e trazojmë derisa beshameli të kalojë në vlim. Në fund shtojmë, kripën, piperin e zi dhe arrën moskat. E mbulojmë të gjithë sipërfaqen e tavës me beshaml dhe djathë pice dhe e vendosim në furrë në temperaturën 180 gradë Celsisus për 15-20 minuta.

(ma.ar/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: