TAVE ME PERIME DHE SALLAM FSHATI

5-6 patate

1-2 kunguj

2-3 domate

1-2 speca të kuq

250 gr sallam fshati

150 gr djath kaçkavall

4-5 kokrra vezë

2 filxhanë qumësht ose 1 filxhan kos

1 lgj miell misri

1 tufë majdanoz

Kripë, piper i zi, piper i kuq

Në një tenxhere me ujë të vluar hedhim patatet të prera në feta dhe i lemë të ziejnë për 10 minuta duke shtuar dhe pak kripë.

Kungujt e prerë në feta spërkatur me pak vaj ulliri, kripë dhe piper i vendosim në anë të një tave ku kemi shtruar letër kuzhine. Në anën tjetër të tavës vendosim sallamin e fshatit të prerë në feta. Mbi kungujt dhe sallamin vendosim domatet të prera në feta, specat dhe patatet gjysmë të ziera. Rregullojmë shijen me kripë, piper të zi dhe piper të kuq dhe në fund e spërkasim gatimin me majdanozin dhe gjysmën e sasisë së djathit të grirë në rende.

Rrahim vezët me 1 lugë miell misri dhe 1 gotë kos ose 2 gota qumësht dhe kremin e përgatitur e hedhim në tavën me perime. E spërkasim të gjithë sipërfaqen me pjesën tjetër të djathit kaçkavall dhe e vendosim në furrë të parangrohur në temperaturën 180-200 gradë për 25-30 minuta.

TORTE ME KREM VANILJE DHE LULESHTRYDHE

1.5 litër qumësht

200 gr sheqer

100 gr niseshte

2 bustina vanilje

1 lgj gjalpë

1 pako buiskota

1 gotë liker ose kafe ekspres

Marmalatë / reçel luleshtrydhesh

Ngrohim qumështin dhe më pas shtojmë sheqerin dhe niseshten e tretur me pak qumësht së bashku me vaniljen.  E trazojmë derisa kremi të lidhet, shtojmë dhe 1 lugë gjalpë dhe më pas e lemë të ftohet.

Në një tavë keku unazë (që hiqet rrethi) vendosim biskotat e lagura në liker me pak qumësht ose kafe me qumësht. Mbi biskotat vendosim një shtresë me kremin e vaniljes dhe në fund një shtresë me marmalatë ose reçel luleshtrydhesh. E lemë tortën në frigorifer dhe më pas e kemi gati për ta servirur.

Shënim: Marmalatën ose reçelin e luleshtrydheve mund ta përgatisim dhe vetë duke vendosur në një tenxhere luleshtrydhet të prera në copëza dhe sheqerin. I trazojmë për disa minuta dhe më pas shtojmë ujin ku kemi tretur dhe pak niseshte dhe pak vanilje. E trazojmë mirë dhe e lemë derisa të marrë valë dhe marmalata të trashet.

SHPORTA ME KREM DHE LULESHTRYDHE

Për shportat:

6-7 petë

100 gr arra

2-3 lgj sheqer

2-3 lgj gjalpë

Për kremin:

3 filxhanë qumësht

3 lgj sheqer

2 lgj niseshte

1 bustinë vanilje

1 lgj gjalpë

100 gr pana pastiçerie

Për marmalatën e luleshtrydheve:

1 gotë luleshtrydhe

1 gotë ujë

¾ gotë sheqer

1 lgj niseshte

1 bustinë vanilje

Luleshtrydhe të freskëta

Shkrijmë gjalpin, më pas grijmë arrat dhe i përziejmë me sheqerin.

Marrim petët dhe i vendosim 1 e nga 1 njëra mbi tjetrën duke i lyer me gjalpë dhe duke i spërkatur me arrat me sheqer. I presim petët në katrorë të vegjël duke  e ndarë fillimisht petën në tre pjesë për së gjati dha katër për së gjeri. Marrim çdo kator të formuar dhe i vendosim në forma keku për muffins, të cilat i kemi lyer më parë me pak gjalpë. I vendosim shportëzat të piqen në furrë në temperaturën 180 gradë për 15 minuta.

Ndërkohë përgatisim kremin. Ngrohim qumështin dhe më pas shtojmë sheqerin dhe niseshten e tretur me pak qumësht së bashku me vaniljen.  E trazojmë derisa kremi të lidhet, shtojmë dhe 1 lugë gjalpë dhe më pas e lemë të ftohet.  Panën e rrahim marengë dhe e vendosim në frigorifer të mpikset.

Sa kremi të ftohet përgatisim marmalatën e luleshtrydheve. Vendosim në një tenxhere luleshtrydhet të prera në copëza dhe sheqerin. I trazojmë për disa minuta dhe më pas shtojmë ujin ku kemi tretur dhe pak niseshte dhe pak vanilje. E trazojmë mirë dhe e lemë derisa të marrë valë dhe marmalata të trashet.

Nxjerrim shportat nga furra, i lemë pak të ftohen dhe më pas i mbushim me nje shtresë marmalatë, një shtresë krem, një shtresë pana marengë dhe në fund luleshtrydhe të freskëta dekoruar me gjethe borziloku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: