Nga shtëpitë e tyre, me një numër të kufizuar spektatorësh nga mbarë bota, Taylor Swift dhe Rolling Stones dhe dhjetëra artistë të tjerë, dhanë një koncert të jashtëzakonshëm në Internet, në mbështetje të mjekëve, në luftën kundër pandemisë.

Evenimenti, që u zhvillua në mesnatë, ishte rasti për të zbuluar performancën e yjeve nga shtëpitë e tyre, në intimitetin e salloneve të tyre, ashtu si shumë muzikantë që filluan të japin koncerte private në rrjetet sociale, që nga kuzhina apo tarraca e tyre.

Katër anëtarët e Rolling Stones performuan gjithashtu që nga dhomat e tyre të ndenjes, këngën “You can’t always get what you want”, ku videoja e secilit shfaqej në një ekran të ndarë në katër pjesë, Charlie Watts duke improvizuar një bateri me objektet e përditshmërisë, Mick Jagger duke dhënë një puthje në kamera në fund.

Taylor Swift zgjodhi një interpretim në piano të “Soon you’ll get better”.

“Ju jeni heronj … Ne do të jemi përjetësisht mirënjohës për ju, për sakrificat që keni bërë për të ruajtur shëndetin e komunitetit”, theksoi aktorja Sarah Jessica Parker, heroina e serialit “Seksi dhe qyteti” në një nga këto ndërhyrjet e shumta të realizuara nga yjet që prej shtëpive të tyre.

Inicuar nga këngëtarja Lady Gaga, koncerti botëror virtual “One World, Together At Home”, i mbështetur nga lëvizja Global Citizen në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ishte menduar të ishte një “slogan” në mbështetje të ndihmësve dhe OJQ-ve lokale.

Rreth 35 milionë dollarë u mblodhën për të ndihmuar organizata të ndryshme të përfshira në menaxhimin e krizës shëndetësore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb