Për orë e orë të tëra presin para spitaleve COVID me shpresë se do të marrin informacion për të afërmit e shtruar në spitalet karantinë por informacioni që kërkojnë është shumë i vështirë për t’u marrë e herë-herë i pamundur ku nuk ke njohje apo kontakte.

Ndërkohë mjeku i njohur Pëllumb Pipero thotë se është përgjegjësi e drejtuesve të shërbimit informimi i familjarëve, edhe pse ai dhe mjekë të tjerë bëjnë sa munden në këtë drejtim.

Mjeku thotë se ka kapacitete ende të lira në 2 spitalet dhe se për këtë arsye nuk është bërë ende çelja e spitalit COVID 3 në ambientet e QSUT.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe Ministria e Shëndetësisë që thotë se në dy spitalet COVID ka të shtruar 110 të sëmurë me klinika të rënduara të shkaktuara nga virusi SARS COV 2 edhe pse për herë të parë pranohet se ka të shtruar me tampon fals negativ por me dyshime të forta klinike për COVID.

Por burime të besueshme nga spitali i sanatoriumit pohojnë se mbi 95% e  shtretërve të COVID 2 janë zënë me pacientë ndërsa një numër i madh mbahen në ambientet e urgjencës derisa të dalë përgjigja e analizës dhe kryerja e skanerit.

Burimet thonë se vlerësimi i shkallës së sëmundjes bëhet përmes imazherisë së skanerit të mushkërisë që është shumë herë më bindës sesa përgjigja e tamponit.

Por rastet e shtruara nuk regjistrohen si COVID nga ministria e shëndetësisë dhe as rastet e fataliteteve me tampon negativ por me pneumoni virale çka vë në diskutim serioz vërtetësinë e shifrave që publikon Ministria e Shëndetësisë.

Ky fakt përforcohet edhe nga familjarë që kanë humbur të afërmit nga virusi vrasës. Një prej tyre pohon se vëllait nuk iu krye tamponi dhe pavarësisht këtij fakti u shtrua në sanatorium ku humbi jetën 2 javë më pas.

Familjari fajëson shtetin për numrin e pakët të stafit mjekësor ku thotë se 1 infermier i përgjigjet 13 të sëmurëve me COVID.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb