Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu deklaroi sot se “të gjitha veprimet e MEPJ lidhur me ndalimin e shtetasve rusë për shkak të përpjekjeve për të hyrë me dhunë në zonë ushtarake, janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe me konventat për mbrojtjen e të dhënave personale, ku Shqipëria është palë”.

Deklarata e Turdiut vjen pas pretendimeve të ambasadës ruse në Tiranë se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme prej ditësh nuk i përgjigjet notës së kësaj ambasade, për informacion mbi ndalimin e shtetasve rusë për shkak të përpjekjeve për të hyrë me dhunë në zonë ushtarake.

Turdiu sqaron se nota verbale e ambasadës së Rusisë është hartuar më datë 22 Gusht dhe ka hyrë në Ministri më 23 Gusht.

“MEPJ ka marrë notë verbale nga ambasada e Rusisë, në përpjekje për të marrë informacion mbi dy shtetasit rusë të ndaluar në hyrjen e një objekti ushtarak. Por është absolutisht e pavërtetë që kjo notë ka katër ditë që është dërguar. Nota është hartuar në datën 22 gusht dhe ka hyrë në MEPJ në datën 23 gusht pasdite. Në mënyrë të menjëhershme MEPJ i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente. Theksojmë se në këtë pikë MEPJ është pikë ndërlidhëse mes kërkuesit dhe strukturave të tjera dhe nuk ka asnjë kompetencë tjetër për çështjen në fjalë”, sqaron Turdiu.

Në kuadër të transparencës dhe të refuzimit të dezinformimit, MEPJ thekson se është e gatshme të verë në dispozicion të mediave dhe të opinionit publik kopjen e notës, ku duket qartë numri dhe data e dërgimit, 22 gusht 2022.

“Autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre dy shtetasve, sepse Konventa e Vjenës referuar më sipër, neni 36, pika 1.b e saj, përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre”, theksoi Turdiu.

Turdiu thekson se “ndalimi apo fillimi i një procesi penal ndaj një personi është e dhënë personale e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Edhe në këtë kuptim, dhënia ambasadës së Rusisë e informacionit të ndalimit të këtyre shtetasve, do të ishte shkelje e angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”.

Gjykata e Elbasanit vendosi dje masën e sigurisë arrest me burg për dy shtetasit rusët Mikhail Zor e Zvetlana Timofevva, si dhe shtetasin ukrainasin Fedis Alpatov, të cilët sulmuan me spraj kimik dy ushtarë shqiptarë në uzinën e armëve në Gramsh pak ditë më parë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb