Gjatë një vizite pune në Bruksel, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani mori pjesë në aktivitetin “Qeverisja e mirë dhe qëndrueshmëria e institucioneve të drejtësisë në Ballkanin Perëndimor”, ku merrte pjesë edhe ministri i Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Bojan Maričić, në kuadër të sfidave që dy vendet kanë, në pritje të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Aktiviteti u organizua nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) dhe Qendra për Studime të Politikave Evropiane me qendër në Bruksel (CEPS), me mbështetjen e Mbretërisë së Holandës dhe më pjesëmarrjen online të organizatave të shoqërisë civile.

Duke paraqitur eksperiencën e Shqipërisë, gjatë fjalës së tij “Vështrime dhe mësime të nxjerra nga zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, z. Metani tha ndër të tjera, se reforma në drejtësi në Shqipëri është një nga reformat më të thella ligjore dhe institucionale në raport me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor. Reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë shumë të rëndësishme të zbatimit të saj. Institucionet e sistemit të drejtësisë janë ngritur, si dhe janë angazhuar plotësisht për të dhënë rezultate konkrete në punën e tyre. Shqipëria mund të konsiderohet si kryesuese e këtij procesi dhe përvoja e saj mund të ndihmojë për proceset planifikuese, zbatimin apo monitorimin e reformave me karakter institucional në vendet e tjera të Ballkanit perëndimor.

Gjatë prezantimit të raportit të monitorimit të institucioneve të reja të drejtësisë në Shqipëri, bashkautorët, drejtori i kërkimeve në CDI, Ardian Haçkaj dhe ekspertja e lartë Fjoralba Caka, vlerësuan rëndësinë e organizmit dhe funksionimit të organeve të reja të drejtësisë, nëpërmjet një procesi legjitim. Ky proces është një faktor i rëndësishëm për organizmin dhe funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë në mënyrë sa më të qëndrueshme, në përputhje me parimin e mirëqeverisjes, si dhe në raport me pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë dhe të partnerëve ndërkombëtarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb