Sekuestrohen pasuri me vlerë 543 452 mijë euro në Vlorë, të cilat dyshohet së janë krijuar me të ardhura nga veprimtari kriminale të pastrimit të parave. Burime zyrtare nga policia e Vlorës bënë me dije se këto pasuri i përkasin shtetasit me inicialet G.B.

Në vijim të goditjeve dhe sekuestrimeve të njëpasnjëshme të kryera ndaj krimit të organizuar dhe pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri, konkretisht:
2 apartamente banimi në Vlorë; 2 llogari bankare si dhe 1 automjet Wolkswagen.

Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal proaktiv të vitit 2017, ndaj shtetasit G. B., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ky shtetas është arrestuar në Itali, në vitin 2017, për veprën penale “Trafikim narkotikësh” dhe dyshohet se këto pasuri i ka ngritur mbi bazën e këtyre veprimtarive të paligjshme. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet e mëtejshme.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: