Prej 4 vitesh i paralizuar dhe me një këmbë të prerë dhe një jetë të tërë mes vuajtjesh e diskriminimit. Kjo është historia jetësore e Hysen Shehut. Ai ka lindur në prill të vitit 1951, 2 muaj përpara se regjimi komunist i Enver Hoxhës, t’i vriste të atin, Tofikun, me pretendimin se ishte i përfshirë në shpërthimin me dinamit të Ambasadës Sovjetike. I ati i Hysenit apo Cenit siç e njohin të gjithë, ishte shkolluar si jurist në Milano të Italisë dhe arsyeja e ekzekutimit sipas tij ishte se pikëpamjet pro-perëndimore të të atit binin ndesh me parimet diktatoriale që po përpiqej të instalonte në Shqipëri Enver Hoxha.

I moshuari thotë se lindi në Vlorë, ku dhe kaloi fëmijërinë e tij. Nëna zotëronte 5 gjuhë të huaja dhe ishte shkolluar në Zagreb për inxhinieri ndërtimi. Por si pasojë e internimit u detyrua të bënte punë të rëndomta në ndërtim, në qytetin e Vlorës dhe rrethinat e saj. Ndërsa Ceni, kishte mjaft pasione, një ndër to, të bëhej futbollist. Në fëmijëri, ai kujton edhe takimin me Krushovin, që Ceni i dha një mesazh të fortë për kohën, duke i thënë se i ati, u bë “kurban” pikërisht për të.

Vetë Ceni ka bërë disa punë, kryesisht në uzina. Në rini, u transferua në Tiranë, ku u integrua në jetesën e kryeqytetit. Është martuar dy herë dhe në të dyja rastet është divorcuar, ka dy fëmijë, një djalë e një vajzë.

Vajza, jeton në Itali dhe siç thotë, ka problemet e veta, ndërsa djali, jeton me një rrogë mujore, duke përballuar shpenzimet për veten, bashkëshorten dhe dy djemtë. Ai tregoi momentin se si mësoi për fatin e të atit. Fillimisht mesazhin e mori nga e ëma, që i tregoi në një moshë madhore se çfarë kishte ndodhur, kjo pas insistimit të tij, sepse kudo quhej ‘Armik i popullit’. 72-vjeçari rrëfen se për të gjetur eshtrat e të atit, ka gërmuar në shumë kodrina të kryeqytetit dhe pas shumë përpjekjesh, mësoi se eshtrat, preheshin në një varr masiv, në afërsi të urës së Beshirit. Këtu, u njoh me rrëfimin prekës nga një dëshmitar okular.

Ceni thotë se jeta është treguar e padrejtë me të. Nga dhimbja e madhe kur mësoi fatin tragjik të të atit u diagnostikua me diabet, e disa vite më pas, preu këmbën si pasojë e kësaj sëmundjeje. Tashmë, jeton i vetëm. Djali e viziton herë pas here, por edhe disa miq, që i japin një vakt të ngrohtë. I përlotur, ai kërkon ndihmë monetare nga shqiptarët, ndërsa një kërkesë e ka edhe për qeverinë aktuale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: