TIRANE – “Statistikë pa politikë”, ka qenë tema që është diskutuar sot në studion e emisionit “Të bësh ekonomi”, të gazetares Vjollca Kongjoni në “News24”, ku kanë qenë të ftuar: drejtori i INSTAT-it Gjergj Filipi, ekspertët e ekonomisë Adrian Civici, Arjan Kadareja dhe eskperti i statistikave Fatmir Mema.
Kreu i INSTAT-it theksoi se institucioni që ai drejton mbikëqyret nga FMN dhe Eurostat, në mënyrë që metoda e përllogaritjes së të dhënave të jetë identike me vendet që na rrethojnë.
“Sot ju garantoj që procesi i monitorimit eliminon gabimin njerëzor në nivele maksimale. Kemi një mbledhje në vit që e bëjnë drejtorët e statistikave në çdo fushë, me të gjithë drejtorët e zonës së zgjeruar të Europës, vendet kandidate dhe potencial kandidate. Kemi një platformë mbikëqyrëse nga Fondi Monetar. Na mbikëqyr kryesisht Eurostati dhe Fondi që metoda e përllogaritjes të jenë identike me vendet që na rrethojnë. Llogaridhënia statistikore është e kopsitur me protokolle shumë të sakta statistikore.”-deklaroi Filipi.
Sipas Filipit, ajo që i mungon sot INSTAT-it është garancia e cilësisë së indikatorit. “Jemi në ngritje e sipër, por kjo strukturë nuk bëhet me një të rënë butoni.”- u shpreh Filipi.
Duke u ndalur tek të dhënat e INSTAT për punësimin, eksperti i ekonomisë, Arjan Kadareja ka shprehur mosbesimin, pasi sipas tij ka një shkallë të lartë gabimi. “Nuk i përdor shumë shifrat e punësimit, ka një shkallë të lartë gabimi. Mendoj që ka vend për përmirësim dhe reduktim të shkallës së gabimit. Më tepër besim kam tek shkalla e rritjes ekonomike se sa tek shifrat e punësimit”, tha Kadareja.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe eksperti i statistikave, Fatmir Mema. “Jo vetëm deklarimi i vetë punëdhënsve dhe të punësuarëve por cilësia e stafit të anketuesve është një problem për shifrat e punësimit”, tha Mema.

Duke ju përgjigjur këtij problemi, drejtori i INSTAT, Gjergj Filipi tha se ka procese intensive trajnimi të anketuesve. “Kemi kaluar nga anketa me laps e letër, në opsionin e teknologjisë”, tha Filipi.

Gjithashtu është diskutuar për të dhënat e Komisionit Europian për rritjen ekonomike në Shqipëri, ku sipas raportit në fund të tremujorit të tretë, shënohet një rritje 3.3%.

Eksperti Arjan Kadareja tha se kjo “është rritja më e madhe sektoriale, një rritje asimetrike, që një sektor, tregti-hoteleri, ka kontribuar më shumë me 1.7%.

Përsa i përket inflacionit, eksperti Civici tha se ai është termometër i rritjes reale, në një analizë ekonomike. “Kur ka rritje ekonomike të lartë detyrimisht ka edhe inflacion të lartë. Po të mbledhim të tre tremujoret, jemi në një nivel 1.4% të rritjes ekonomike. Duke analizuar se cilët sektorë kanë ndikuar më shumë, më duket normale që është sektori i hoteleri-turizëm, korrespondon me muajt e verës”, tha Civici.

Të ftuarit e emisionit “Të bësh ekonomi”, janë ndalur edhe tek situata në Bankën e Shqipërisë dhe rolit që ajo mund të luajë për uljen e trendit të uljes së inflacionit. Drejtori i INSTAT, tha se ky institucion vetëm mund ta masë inflacionin dhe nuk mund të ndikojë tek ai.

Ndërsa eksperti Kadareja tha se lëvizja që mund të bëjë BSH është ulja e normës bazë të interesit, gjë të cilën ky institucion tashmë e ka bërë.

Sipas Civicit, janë tre elementë që ndikojnë për inflacionin: Stimuli fiskal, investimet publike që bën Shqipëria; Stimuli monetar, që përcaktohet nga norma bazë e interesit dhe Reformat.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: