Regjimenti Azov i Ukrainës ka publikuar një video që supozohet se tregon luftëtarët e tij duke sjellë ushqim dhe ndihma të tjera për gratë dhe fëmijët që strehohen në një nga bunkerët nëntokësorë në uzinën Azovstal – pjesa e fundit e Mariupolit që nuk është nën kontrollin rus.

Në pamje, gra dhe fëmijë – të parë në një dhomë të mbushur me njerëz – mund të dëgjohen duke thënë se tani po u mungon ushqimi dhe uji dhe luten që të evakuohen nga qyteti jugor i rrethuar.

Një numër i të filmuarve thonë se kanë mbetur të bllokuar nën tokë për javë të tëra, me një vajzë që thotë se nuk e ka parë dritën e ditës që nga 27 shkurti – dita e katërt e pushtimit rus të Ukrainës.

Në muret e bunkerit shihen tabela të mëdha me bojë të kuqe “Fëmijët”. Një grua dëgjohet duke thënë se më shumë se 15 fëmijë – nga foshnjat tek ata të moshës 14 vjeç – janë strehuar në ndërtesë.

Videoja – që besohet se është filmuar më 21 prill – nuk është verifikuar nga BBC.

Fabrika e çelikut Azovstal – një labirint tunelesh dhe punishtesh – është një vend i madh industrial në Mariupolin qendror. Është pothuajse si një qytet brenda një qyteti.

Në fillim të kësaj jave, një nga komandantët e Azov – i cili së bashku me një brigadë të marinës ukrainase, rojet kufitare dhe oficerët e policisë janë ende duke mbrojtur Mariupolin – i tha BBC-së se shumë civilë, përfshirë fëmijë, ishin strehuar në atë vend. Ai tha gjithashtu se aty ishin luftëtarë të plagosur dhe të vdekur.

Pjesa më e madhe e Mariupolit është shkatërruar gjatë javëve të bombardimeve të rënda ruse dhe luftimeve intensive në rrugë.
Këtë javë, Presidenti Vladimir Putin anuloi një sulm të planifikuar rus në fabrikën e çelikut dhe urdhëroi trupat e tij ta mbyllnin atë.

Marrja e portit të Detit Azov është një qëllim kyç i luftës ruse dhe do të lirojë më shumë trupa për t’iu bashkuar një ofensive ruse në rajonin lindor të Donbasit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb