Shqipëria do të luajë pasditen e sotme ndeshjen miqësore ndaj Gjeorgjisë, në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”. Deri tani janë shitur rreth 8000 bileta për të parë nga afër këtë ndeshje miqësore.

Një interesim i lartë ky për tifozat kuqezi duke parë se Komiteti Teknik i Ekspertëve ka lënë ende në fuqi vendimin që në stadiume të jetë e mbushur 30% e kapacitetit.

Në duelin e sotëm arbitër kryesor do të jetë malazezi, Nikola Dabanoviç, i mbështetur nga dy asistentët nga Luksemburgu, Hoakim Da Silva dhe Klod Ries. Arbitër i katërt do të jetë kryesori me stemën e FIFA-s në Kategorinë Superiore, Eldorjan Hamiti.

Kjo është sfida e dytë miqësore e Kombëtares kuqezi në prag të ndeshjeve të Ligës së Kombeve që do të mbahen në muajin qershor. Në ndeshjen e parë miqësore, Shqipëria u mund në minutat finale ndaj Spanjës me rezultatin 2-1, të luajtur në stadiumin e Espanjolit në Barcelonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb