NGA KLODIANA LALA*

TIRANË- Në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit 2015 Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pezullon dhënien e lejeve dhe transferimet e të dënuarve dhe të paraburgosurve. Me një urdhër të brendshëm të firmosur nga kreu i dikasterit të burgjeve, Artur Zoto, janë urdhëruar të gjithë drejtorët e burgjeve, të mos firmosin asnjë leje shpërblyese apo të veçantë, si dhe të ndërpresin transferimet, përveçse në ndonjë rast urgjent, siç mund të jetë gjendja shëndetësore jo e mirë e të paraburgosurve apo të dënuarve. Lajmi konfirmohet për “GSH” nga burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas urdhrit të firmosur nga Zoto, nga data 21 maj kur duhet të nisë zyrtarisht fushata zgjedhore nga kandidatët për 61 bashkitë në vend dhe deri më 30 qershor, asnjë i dënuar nuk mund të marrë leje, edhe pse më herët mund të ishte e planifikuar sipas grafikut, që harton Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që në fillim të vitit.
MOTIVACIONET
Në fakt ka dy arsye përse është urdhëruar pezullimi i lejeve për një periudhë prej një muaj e dhjetë ditë, për të dënuarit, si dhe çdo transferim. “Urdhri në fjalë ka si motivacion kryesor faktin se duhet të bëhen përgatitjet e duhura me qëllim që të paraburgosurit dhe të dënuarit të votojnë”, theksuan burimet, sipas të cilave është duke u punuar në bashkëpunim me KZAZ-të për përgatitjen e infrastrukturës me qëllim që procesi i votimit të mos ketë probleme. “Së dyti, të mos ketë keqpërdorim të personave të dënuar apo të paraburgosur në fushatë, siç ka patur në fushatat e mëparshme”, theksuan burimet për “GSH”. Në fakt, në fushatat e mëparshme, si për zgjedhjet vendore apo parlamentare, ka patur akuza të ashpra për përdorim të personave të dënuar, kryesisht atyre për vepra të rënda penale, që janë lënë të lirë me leje shpërblyese dhe jo vetëm janë angazhuar për fushatë. Aktualisht në burgjet dhe paraburgimet në të gjithë vendin ndodhen 5800 persona, të akuzuar apo dënuar për vepra të ndryshme kriminale.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb