Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, doli në një komunikim për media lidhur me procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e 25 prillit.

Celibashi tha se ka përfunduar tërësisht procesi i numërimit për partitë apo koalicionet, si dhe për kandidatët, në Libohovë, Pustec dhe Njësinë nr. 10 në Tiranë.

“Në Libohovë dhe Pustec, procesi ka përfunduar tërësisht si me partitë, edhe me kandidatët. Tërësisht ka përfunduar procesi edhe për zonën zgjedhore 10, ku është përdorur sistemi i votimit elektronik. KQZ po ndjek me shumë vëmendje ecurinë e procesit. Për fat të keq vijojmë të kemi probleme në sjelljen e anëtarëve të KZAZ dhe grupeve të numërimit. Jemi realisht të ndërgjegjshëm që puna është shumë e vështirë, por kemi të dhëna që shpeshherë, në rastet problematike, pengimi i procesit vjen si rrjedhojë e qëndrimeve subjektive, apo të ndërhyrjes së përfaqësuesve politikë. Por, pas ndërhyrjes së KQZ, situata ka ndryshuar, në ato KZAZ që ka pasur raportime. Nuk kemi ndonjë KZAZ, ku të jetë ndërprerë procesi i numërimit aktualisht”, tha Celibashi.

Më tej, Celibashi foli për shit-blerjen e votës, duke thënë se kjo është vepër penale dhe KQZ, sipas tij, do të adresojë çdo rast në Prokurori.

“KQZ është bërë prokurori, polici gjyqësore, inspektor tatimor, etj. Ka disa fenomene negative të procesit zgjedhor, që në asnjë lloj mënyre KQZ nuk mundet të adresojë. Shit-blerja e votës është vepër penale. Në dijeninë time ka angazhim të Prokurorisë për të verifikuar situata të tilla. Për ato raste që do të kemi informacionin, do të adresojmë te organi i Prokurorisë”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb