Regjistrime, çregjistrime, transferime…. dhe një ceremoni online diplomimi për t’u organizuar. E para e këtij lloji në vendin tonë. Në një të hënë të tillë të ngjeshur, cingërron “The Witcher”. “Telefonoj nga Kabineti i … Dua të më ndihmoni me përshpejtimin e një procedure për një mikun tim. Nuk është gjë e madhe. Do kem mundësi t’jua shpërblej.”

“Përshëndetje. E kuptova ku punoni, por nuk më thatë si quheni. Mikut tuaj i thoni të paraqitet në Zyrën 4.. nga ora 08:00 deri në 16:30. Ju siguroj që do ta marrë shërbimin në kohë, siç e marrin edhe të tjerët”.

“Faleminderit. Çfarë mund të bëj për ty?”
Përmbushja e detyrës, as nuk është favor, as nuk ka nevojë të kërkohet si e tillë.

“Quid pro quo” ose “favor për favor”

Rrëfenja ime për këtë javë është një histori e shkurtër e “quid pro quo”-së allashqiptare. Ose “quid pro nihilo”. Sidoqoftë, do të merrni diçka në këmbim.
Përkthimi i shprehjes latine “quid pro quo” do të qe “favor për favor”. Shprehja mori dhenë kur Donald Trumpi gjatë një telefonate me presidentin ukrainas Selenskyjn e vuri atë nën presion teksa në këmbim të hetimeve kundër djalit të Joe Biden-it (dikur në krye të një koncerni energjetik ukrainas), i ofroi atij ndihmë ushtarake: quid pro quo.

Ndërsa nëse i hedhim një sy fjalorit të gjuhës shqipe, emri favor ka dy konotacione: i. E mirë a lehtësi e veçantë që i bëhet dikujt. ii. keq. Ndihmë, përkrahje a mbrojtje e padrejtë, që i bëhet dikujt; anësi, hatër. Kur i bëjmë dikujt një favor, a presim që ai të na e kthejë? Apo e bëjmë lirisht pa pritur gjë në këmbim? Siç e shihni, në vendin tonë të ndash “favorin” nga “favori” është e vështirë edhe në fjalor. Njerëzit zakonisht rreken të përfitojnë kur bëjnë diçka. Nuk ka rëndësi nëse shpenzojnë disa orë më shumë në punë apo ndihmojnë një fqinj në hall. Ata duhet të marrin diçka në këmbim, në të kundërt do ta quanin veten “të përdorur”. Një leckë!
Ky ligj i pashkruar reciprociteti e bën marrësin të ndjehet i detyruar të na e kthejë favorin. Një dorë gjatë punës, një buzëqeshje apo një fanellë e re e Milanit (e para, se e dyta e këtij viti është berbat), rezultati është i njëjtë; ai që të ka bërë favorin ndien sikur të ka në pronësi, sado e pështirë të tingëllojë kjo.
Kjo mendësi e të përfituarit sa herë që bën diçka është ngjitëse. Kjo e bën institucionin, shoqërinë, të ngërthyer në të njëjtat role, fovorizues dhe të favorizuar. Nëse do t’i bësh keq një shoqërie, infektoje me këtë virus.
“Quid pro nihilo” ose kur nuk pret asgjë në këmbim…

Kur ishte studente në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Megi ndiqte një ritual të përjavshëm. Nga Kampusi Universitar në Spitallë shkonte në qendër të Durrësit dhe iu avitej fëmijëve që lypnin në rrugë. “A dëshiron të të mësoj të lexosh?”, i pyeste. Siç mund ta merrni me mend përgjigjja ishte një jo e prerë. Një stomaku të uritur nuk mund t’i flasësh për shkronja. Atëherë Megi ndryshonte strategji. “Eja hamë një sanduiç të mirë aty përballë. Ndërkohë që ti ha unë të mësoj pak shkronjat. Si thua?” Kështu ua fitonte zemrën fëmijëve Megi, që e bënte shpesh këtë mirësi. Pa postuar foto në instagram, pa i thënë kujt, pa pritur asgjë në këmbim. Megi nuk fitonte gjë duke ushqyer e mësuar fëmijët e rrugës, por mund të ndihet krenare që në një vend ku ka institucione dhe qindra organizata të mbrojtjes së fëmijëve (që marrin qindra milionë fonde), ajo dha kontributin e saj modest në shoqëri. (Ndjesë Megi se e di që nuk të pëlqen që po e rrëfej këtë histori, por në ditën e nisjes së vitit të ri shkollor kemi shumë nevojë të lexojmë shembuj të tillë).

Megi vlen si shëmbëllesë për ata që mendojnë që ndihma duhet të vijë me kushte, kërkesa, prapa veprime. Epo nëse ke bërë/dhënë diçka e pret një nder në këmbim, dije që nuk ke ndihmuar, por ke kryer një transaksion.
Nic Marks është autor, këshilltar i pavarur politik, folës dhe statisticien, i njohur më së shumti për punën e tij në “Happy Planet Index”. Ai shpjegon bukur dhe thjeshtë udhët që të çojnë drejt mirëqenies. Sipas tij ato janë, shoqërizimi, të qenit aktiv, të mbajturit vesh, të mësuarit vazhdimisht dhe të dhënit. Asnjë nga këto nuk ka të bëjë as me favoret, as me paratë.

E megjithatë ne jetojmë në një botë ku na thuhet pambarimisht se gjësendet sjellin lumturi. Makina e fundit, shtëpia e madhe, telefoni inteligjent, këpucët, manshetat (lista mund të vazhdojë gjatë). Por, sipas Marksit asgjë nuk funksionin pa u lidhur me njerëzit, pa u kujdesur për veten (mendjen dhe trupin), dhe mbi të gjitha pa dhënë një dorë në rrethin shoqëror. Të dhënit nuk lidhet domosdoshmërisht me paratë. Dikush mund të falë pak kohë, dikush tjetër të kryejë punë vullnetare. Ka shumë udhë këtupari për të ndikuar pozitivisht në shoqëri.

Por sa prej nesh i njohin fqinjët, jo më të kalojnë kohë me ta duke u folur dhe i dëgjuar? Sa prej nesh e fikin telefonin kur shkojnë për të vizituar prindërit dhe luajtur me nipërit a mbesat? Sa prej nesh ua lënë radhën të moshuarëve në bankë a në supermarket (apo mos duhet pyetur sa e zbatojmë radhën)? Më e rëndësishmja, sa prej nesh bëjnë mirë pa pritur asgjë në këmbim? Ndaj le të jemi mirënjohës që me punën në administratë, shkollë, në institucion privat, me vullnetarizmin, angazhimin tonë kemi sadopak ndikim pozitiv në jetën e dikujt. Kjo na ndihmon të vemë në zbatim njohuritë tona, të ndërtojmë reputacion, të kemi mirëqenie vetjake dhe shoqërore. çka është më e vlefshme sesa çdo favor që do të merrnim në këmbim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb