Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po zhvillon një takim me socialistë të zhgënjyer në Durrës.

Mësohet se lideri demokrat ka mbledhur sot mbi 500 socialistë, që i janë bashkuar PD-së.

Gjatë fjalës së tij para tyre, Basha nënvizoi se Partia Socialiste i ka braktisur për tetë vite njerëzit, i ka lënë në mëshirë të fatit, e nuk është kujdesur për to. Ai tha se ka ardhur koha që Shqipëria e Durrësi t’i kthehen shqiptarëve, e kjo sipas tij, arrihet duke votuar numrin 9 më 25 prill.

“Faleminderit nga zemra! Faleminderit nga zemra! E hoqa xhaketën sepse keni krijuar një klimë jashtëzakonisht të ngrohtë dhe miqësore dhe po e rivësh në shenjë respekti tek ju drejtohem vëllezër dhe motra socialistë durrsakë. Jam i nderuar dhe i privilegjuar me këtë takim, me këtë pritje, me këtë besim që investoni tek ndryshimi, tek Partia Demokratike, tek numri 9. Kur prita Ardit Kërtushën dhe Serian Mazrekun në zyrën time para disa ditësh pata dy ndjesi që dua ti ndaj me ju sot sepse janë të ngjashme me ndjesitë që kam tek hyj në këtë sallë. E para kaq shumë e kanë gërmuar hendekun e përçarjes në këto 8 vite sa më shumë emocion po prisja për të takuar këta 2 zotërinj sesa gjithë Ambasadorët dhe Ministrat e Jashtëm që kam pritur dhe e dyta, gëzim në shpirtin tim kur pashë dy të rinj të talentuar të mençur, patriot, që duan Shqipërinë, që e kanë të shtrenjtë Shqipërinë, që e kanë të shtrenjtë Durrësin, që e kanë të shtrenjtë familjen, që i kanë të shtrenjtë vlerat, vlerat që na bashkojnë si shqiptarë. Sepse vëllezër e motra ne jemi një komb, ne jemi një familje, ne jemi një popull dhe njësoj si shumica dërrmuese e shqiptarëve edhe shumica dërrmuese e socialistëve kanë parë se si këto 8 vite një grusht njerëzish kanë përfituar nga pushteti. Janë pasuruar në mënyrë marramendëse. Edi Rama dhe një grusht pushtetarësh e oligarkësh janë bërë bashkë për të zhvatur pasuritë e vendit. Kanë vënë pasuri, janë bërë si sheikë në një Durrës që nuk ka ujë për fëmijët, nuk ka bukë për prindërit, nuk ka punë për të rinjtë, nuk ka subvencione për fermerët, nuk ka investime, nuk ka infrastrukturë.

Por vetëm vjedhje dhe batërdisje, në një Durrës të lënë në mëshirë të fatit ku pas tërmetit të zotit ra tërmeti i babëzisë, tërmeti i korrupsionit, që dhe familjet qytetare durrsake duan tua grabisin trojet për mafien e ndërtimit. E prandaj nga 40 pallate që duhet të ishin ndërtuar, mezi ka filluar puna për 2. Ndërkohë që mijëra të tjera e kaluan dimrin e dytë në çadra. Për një arsye të vetme, babëzisë së një grushti njerëzish, sepse për ta Durrësi është i tyre, porti është i tyre, paratë e rindërtimit janë të tyre, taksat tuaja janë të tyre. Kështu e kanë menduar Durrësin, kështu e kanë trajtuar Durrësin, kështu e kanë trajtuar të gjithë Shqipërinë 8 vite me rrallë. A ka gjë më flagrante sesa ajo që doli para disa ditësh nga një gazetar investigativ që nuk njihet si simpatizant i Partisë Demokratike.

Audio përgjimi i drejtorit të përgjithshëm të kadastrave. Tek rrëfen se ka dalë nga zyra e kryeministrit dhe kanë marrë një vendim, do bëjmë sikur do t’ju legalizojmë shtëpitë 110 mijë shqiptarëve, por nuk do të legalizohen. Pra do të shkojnë tek 110 mijë familje, tek 110 mijë prindër, baballarë, nëna. Tek 110 mijë shtëpi që janë gjaku dhe djersa e një jete të tërë e vënë me thonj e me mish tuaj, të bijve tuaj në emigracion. Do ti gënjejnë, do ti gënjejnë, do ti thonë dua t’ju legalizojmë dhe pastaj do t’ju marrin votën, do tua prishin shtëpitë pa dëmshpërblim dhe do ti mashtrojnë. Kjo është e vërteta e Edi Ramës. 8 vite mashtrime, 8 vite gënjeshtra, 110 mijë shtëpi. Dhe këtu dua të ndalem një çast dhe ti kthehem të gjithë qytetarëve shqiptarë, edhe demokratëve. Tek po vija këtu më morri dikush më tha po vjen prapë Durrës? Po i thashë po vij. Po ti dje ishe, ne e mbyllëm. E mbyllëm i thashë unë, po sot më mirëpresin socialistët e Durrësit.

E dua t’iu them edhe skeptikëve në familjen time politike, shikojeni këtë sallë, këtu janë vëllezërit dhe motrat tona, ndoshta dhe kushërinjtë tuaj. Shikojeni, në ato 110 mijë shtëpi që duan ti prishin pas zgjedhjeve mos kujtoni se do ti ndajë në të majtë e në të djathtë, se babëzia e Edi Ramës dhe një grushti oligarkësh nuk i ka ndarë shqiptarët në të majtë e të djathtë. Sfidat kanë qenë të përbashkëta, dhimbjet kane qenë të përbashkëta, vuajtjet kanë qenë të përbashkëta, represioni, arroganca, shtypja, fyerja ka qenë e përbashkët. Madje iu them këta njerëz janë dyfish të poshtëruar, sepse siç e tha Arditi besuan, punuan për Partinë Socialiste dhe për Edi Ramën, votuan për ta sjellë në pushtet dhe shikoni se si janë sot, të lënë pas dore, të harruar, të braktisur, si gjithë Shqiptarët. Nën zgjedhë, nën terror. Shikoni punonjës të administratës që punojnë e robtohen nga mëngjesi deri në darkë për 300, 400, 500 apo dhe 600, 700 mijë lekë dhe shohin shefat e tyre që vjedhin 400 mijë Euro me një dorë, shohin ministrat që vjedhin 4 milion me një dorë, shohin kryeministrin në krye të piramidës së vjedhjes.

Si ndihen ata kur shkojnë në shtëpi dhe numërojnë paratë pasi paguajnë njësoj si gjithë shqiptarët faturat e larta të energjisë, faturat e rritura të karburantit, faturat e rritura të ujit, taksat e rritura në bashkinë e Durrësit e në çdo bashki tjetër, e i numërojnë kacidhet e fundit për të ushqyer fëmijët e tyre dhe nga ana tjetër shohin ministrat që hanë biftekun e artë një mijë dollarë te Nusret-i me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ajo që na bën bashkë sot ne nuk është Partia Demokratike, por është dëshira, është vendimi, është vullneti, është vetëdija se Shqipëria nuk ka rrugë tjetër përveç ndryshimit dhe ndryshim do të ketë ditën e diel duke u bërë bashkë të gjithë duke votuar numrin 9. Sepse vëllezër e motra ndryshe nga ç’kanë bërë e ç’po bëjnë edhe këto 3 ditë që na ndajnë nga zgjedhjet, ky nuk është Durrësi i Vangjush Dakos, Vangjushit të listës së zezë së departamentit të shtetit, ky nuk është Durrësi i bandave. Ky është Durrësi juaj, është Durrësi i durrsakëve, është Durrësi i qytetarisë të djathë e të majtë, demokratë e socialistë dhe me 25 prill të dielën ju keni shansin, mundësin por dhe përgjegjësinë ta merrni prapë Durrësin tuaj në duart tuaja, ta merrni fatin tuaj në duart tuaja sepse duke votuar për numrin 9 ju do të bëni të mundur që ne ta çlirojmë Durrësin, ta çlirojmë nga keqqeverisja tetë vjeçare. Ta çlirojmë nga Dakot e bandat e tij. Ta çlirojmë nga taksat e larta. Ta çlirojmë nga mungesa e investimeve dhe sot kam një mesazh që i drejtohet drejtpërdrejt çdo punonjësi të administratës shtetërore. Nga pastrueset dhe sanitaret, tek policët e policisë së shtetit, ushtarakët, policia e burgjeve, të gjithë punonjësit e administratës, mësuesit, mjekët, nëpunësit, ju burrat dhe gratë e ndershme që zbatoni ligjin. Ju që i shërbeni qytetarëve ngrijeni kokën dhe mos kini asnjë frikë, ndryshim për ju nuk do të thotë largim nga puna por largim të atyre që u kanë përdorur si skllevër për të mbushur xhepat e tyre ndaj mos kini asnjë frikë, mos i dëgjoni tam tamet e histerisë së panikut. Të atij që e di më mirë se kushdo tjetër se me 25 prill i ka ardhur fundi, se koha e tij mbaron, se koha e premtimeve boshe mbaron, se koha e Edi Ramës mbaron. Me 25 prill fillon koha për çdo shqiptare e çdo shqiptar, për demokratë e për socialistë dhe për Shqipërinë si gjithë Evropa. Vëllezër dhe motra ne kemi një plan, ne nuk kemi një tullumbace elektorale por një plan konkret i punuar me kujdes me vizion. Ne kemi parë dhe ndier dhimbjen e njerëzve në çdo fushë nga familjet me nevojë ekonomike dhe pensionistët, tek studentët dhe nevojat e tyre për tu edukuar, për të marrë një profesion dhe për tu punësuar. Nga nevoja e bizneset të vogël dhe të mesëm për të mbijetuar tek mundësit e biznesit dhe të sipërmarrjes të madhe që përmes konkurrencës dhe bashkëpunimit me investimet e huaja ta kthejnë Shqipërinë në një ekonomi të zhvilluar që hap vende të reja pune, që garanton paga të larta.

Gjëra që po ndodhin në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Serbi, ne Mal të Zi, në fushën e turizmit, teknologjisë së informacionit sepse atje naftë nuk është e treta më e shtrenjtë në botë si në Shqipëri prek taksës Rama, sepse atje taksat e ulëta bëjnë të mundur që investimet vendas dhe të huaja të prodhojnë mirëqenie, sepse fermeri shqiptar është i vetmi fermer i kombit tonë që nuk merr subvencione ndonëse ky është shteti i parë dhe më i vjetër shqiptarë. I merr subvencionet fermeri i Kosovës, i merr megjithëse është 13 vite shtet dhe ka gjysmën e buxhetit të Shqipërisë dhe e ka kokën lart e xhepat plot dhe të ardhmen e sigurt për veten dhe fëmijët e vet. Po kështu fermeri shqiptarë i Maqedonisë së Veriut merr subvencione operatori turistik, hoteleria, restorantet, kafenetë., shqiptarët e Ulqinit e të Tivarit por jo shqiptarët e Durrësit, as Lezhës e Velipojës, as Sarandës, as të Konispolit, as të Ksamilit, as të alpeve sepse këtu për 8 vite me radhë nuk kemi pasur një qeveri të njerëzve, nuk kemi pasur një qeveri që të mendoj për ju, as për demokratë, as për socialist por vetëm për veten e vet. Ndaj e diela që po vjen është shumë e rëndësishme. Kujtojeni premtimin e parë të kryetarit të Partisë Socialiste “Vitin e parë do hap negociatat”, kujtoni sa shishe shampanjë ka hapur ndërkohë që kushtet shtoheshin dhe u hapën dyert e emigracionit.

Siç derdhet uji I shiut derdhen lotët e nënave për të rinjtë që ka larguar nga shtëpia. Dhe më thonë janë demokratë, ju them janë demokratë dhe socialistë, janë bijë nënash që I ka larguar me papërgjegjshmërinë e tij kriminale. Me dështimin për të hapur negociatat sepse kushte u shtuan, sepse shteti ra, sepse pushteti u personalizuar dhe u kriminalizuar sepse vjedh paratë e shqiptarëve, vjedh të dhënat personale të shqiptarëve, vjedh votën e shqiptarëve dhe kështu vjen prapë te ju, vjen prapë me projekte 3D nën sqetull dhe thesin e gënjeshtrave në shpin për të mashtruar Durrësin për herë të tret. Unë e kam dëgjuar fuqishëm përgjigjen e durrsakëve dit për dit, mbrëmë ushtoj nga sheshi, sot e shoh në sytë e socialistëve durrsakë. Nuk ka më asnjë minutë për Edi Ramën. Koha e tij ka mbaruar. Në 25 prill vijani vulën vëllezër e motra. Mirë se vij në koalicionin e ndryshimit, në bashkimin për ndryshim. Ju garantoj që unë do të jem kryeministri I të gjithë shqiptarëve dhe qeveria jonë do të bëjë realitet zotimet e këtij plani të studiuar në detaje I cili nuk do të sjellë mrekulli por do të sjell normalizim, do të sjellë mundësitë që të tjerët I kanë në rajon dhe ne nuk I kemi. Unë kam besim të jashtëzakonshëm tek ju, populli im, rinia jonë, kam besim të jashtëzakonshëm te Shqipëria. Atë që bën Maqedonia e Veriut ne mund ta bëjmë shumë më mirë, me portin e Durrësit, me bregdetin tonë. Ne mund dhe do të realizojmë zhvillime infrastrukturore dhe ekonomike. Ne mund dhe do të realizojmë Investime të mëdha që do të hapin vende pune. Kujtojini dy të fundit që kanë hapur 40 mijë vende pune në zinxhirin ekonomik, gaz sjellësin TAP dhe kaskadën e Devollit. U kontraktua në kohën e qeverisjes tonë të fundit. 8 vite me radhë nuk ka sjellë një investim të huaj sepse tek investimet e huaja e ka më të vështirë të vjedhë, madje edhe ato që ishin i përzuri me dajak. Ai projekt që do të zhvillohej në Gjirin e Lalëzit, sot po zhvillohet në Malin e Zi. Një miliard Euro, dhjetëra, mijëra vende pune të humbura. Pse?! Që Edi Rama dhe banda e tij të vazhdojnë të grabisin e të zhvasin, e të pasuron në kurrizin e shqiptareve.

E pra, vëllezër dhe motra, ky nuk është vendi i Edi Ramës, ky është vendi juaj, kjo është Shqipëria juaj. Ne jemi të gjithë bashkë! E kemi të gjithë të shtrenjtë Shqipërinë, e kemi të gjithë të shtrenjtë familjen, i kemi të gjithë së bashku demokratë e socialistë. Të shtrenjtë fëmijët tanë, kemi të shtrenjtë të ardhmen e tyre, kjo na bën bashkë. Kjo dhe besimi se së bashku nuk ka forcë të na ndalë në fitoren më të thellë, në fitoren më të bukur, me pjesëmarrjen më të madhe siç do të jetë ajo e 25 prillit. Sepse me 25 prill do ndahen dy epoka, do mbyllet dera e tranzicionit, do të hapet dera e Europës me një brez të ri, të gatshëm, të sfiduar nga vite të gjata vuajtjesh e mashtrimesh.

Me një brez të ri që ka aspiruar ta sjellë ndryshimin edhe përmes Partisë Socialiste por i është mohuar sepse siç më tha një tjetër ish-drejtues i lartë ish-socialist. Më tha, Partia Socialiste është bërë për fat të keq si Kukësi i vjetër, është zhytur nën liqenin e Rilindjes. E pra, le ta thajmë moçalin e Rilindjes, le t’ia kthejmë dinjitetin edhe socialistëve shqiptarë duke votuar numrin 9. Bëjeni të mundur edhe çlirimin e Partisë Socialiste nga zinxhirët që e mbajnë peng të bandave, peng të krimit, peng të shitblerjes së votës. Edhe sot, e keni parë nga zhvillimet, e vetmja shpresë marifetet e vjetra. Nuk kanë për të funksionuar marifetet e vjetra. Koha e Edi Ramës ka mbaruar, ka ardhur koha e shqiptarëve, bëhemi bashkë, Bashkë për ndryshimin. Votoni numrin 9 dhe të fitojmë të gjithë së bashku. Të fitojë Durrësi, të fitojë Shqipëria. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. Zoti e bekoftë Durrësin dhe krejt Shqipërinë. Faleminderit!” – tha Basha.”, u shpreh Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: