TIRANË- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ishte e ftuar në takimin prezantues të projektit “Të drejtat e grave, nga koncepti në realitetin shqiptar”, qëllimi i të cilit është të sigurojë, mbrojë dhe promovojë të drejtat e grave në vendin tonë.

Në aktivitet ishin gjithashtu të pranishëm ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë z. Blendi Klosi, ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, znj. Dewi van de Weerd, si dhe përfaqësuese të disa shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të grave në vendin tonë.

Ministrja Kodheli foli për rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila siç u shpreh ajo, riafirmon rolin që gratë luajnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë. “Nuk mund të fitojmë nëse lëmë jashtë loje gjysmën e ekipit. Ajo çka është thelbësore në arritjen e kësaj sfide është ndryshimi i mentalitetit të shoqërisë dhe vullnetit politik, rritja e ndërgjegjësimit të shoqërisë sonë mbi rolin e gruas në shoqëri si dhe fuqizimi i shoqatave të grave.”- tha ministrja Kodheli, e cila vijoi dukë bërë një panoramë të plotë të rolit, përfshirjes dhe përfaqësimit të femrave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura.

“Politikat e ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes për rritjen e përfaqësimit të femrave në FA, shprehen në një sërë dokumentesh strategjikë, ku ne angazhohemi të arrijmë, pse jo dhe të tejkalojmë nivelin prej 15% të përfaqësimit të femrave në FA.

Politika e mbajtjes dhe rekrutimit të femrave në radhët e FA, është një ndër prioritetet e mia në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore, kjo e evidentuar edhe në përfshirjen personale në fushatën e rekrutimit. Kam inkurajuar vajzat e reja të bëhen pjesë e FA. Procedurat dhe kriteret për përzgjedhjen e oficerëve për ndjekjen e akademive apo kolegjeve ushtarake janë ligjërisht të barabarta dhe sigurojnë të njëjtat mundësi si për femrat dhe për meshkujt ku procedurat e përzgjedhjes bazohen tek merita.

Në përputhje me specialitetin, edukimin dhe gradën femrat në Forcat e Armatosura i gjen të emëruara edhe në shumë pozicione të cilat më parë mbaheshin nga meshkujt.

7 femra janë në pozicionin e drejtorit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm ndërsa një grua kolonele shërben si përfaqësuese ushtarake në përfaqësitë tona diplomatike jashtë vendit.”- u shpreh ministrja Kodheli që përmendi edhe dyfishimin gjatë këtij viti, të numrit të femrave që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e FA-ve.

Objektivi specifik i projektit “Të drejtat e grave, nga koncepti në realitetin shqiptar”, është fuqizimi i organizatave të shoqërisë civile dhe garantimi që ato të angazhohen aktivisht për zbatimin dhe forcimin e legjislacionit vendas dhe ndërkombëtar që i referohen të drejtave të grave, të tilla si Rezoluta 1325, rekomandimet e së cilës ministrja Kodheli tha se janë përfshirë edhe në kurrikulat e trajnimit për stërvitjet e para dislokimit për misione të personelit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Projekti “Të drejtat e grave, nga koncepti në realitetin shqiptar” i “Shoqatës së Grave me Probleme Sociale” dhe “Operation 1325”, mbështetur nga Ambasada e Vendeve të Ulëta, do të zbatohet për një periudhë 18-mujore dhe do të shtrihet në qarqet Korçë, Durrës dhe Elbasan.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb