Gjykata e Lartë në Beograd liroi Jugosllav Petrushiçin dhe Radeta Petroviçin nga akuzat për vrasjen e dy shqiptarëve, Hamdi Neziri dhe Rrahman Idrizi, gjatë luftës në Kosovë, më 1999.

Lajmi u konfirmua për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë nga zëdhënësja e gjykatës, Tatjana Teshiç. Petrushiç dhe Petroviç janë të njohur për publikun si pjesë e grupit “Merimanga”. Procedura kundër grupit ka nisur në vitin 1999. Me vendimin e së premtes u refuzua edhe akuza për zhvatje kundër Petrushiçit dhe Petrovicit, si dhe kundër Branko Vllaçit, i cili akuzohej vetëm për këtë krim.
I akuzuari Millorad Pellemish ka vdekur dhe gjykata është në pritje të certifikatës së vdekjes, për të pezulluar zyrtarisht procedurat kundër tij.

Ky është një vendim i shkallës së parë, ndaj të cilit prokuroria ka të drejtë të ankohet. Këta katër, si dhe Sllobodan Orashanin, më 2018, janë liruar edhe nga akuzat për spiunim në favor të shërbimit francez të inteligjencës gjatë vitit 1999.

Në kohën e arrestimit të këtij grupi, më 1999, sekretari i atëhershëm i Informacionit në Serbi, Goran Matiç, ka thënë se janë arrestuar “anëtarët e grupit spiun-terrorist ‘Merimanga’”, të cilët, pas një sërë krimesh, “kanë planifikuar edhe vrasjen” e presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç. Matiç i ka përsëritur këto pretendime edhe në gjyq, por ata nuk janë akuzuar kurrë për to, ndërsa rasti, me kalimin e viteve, ka kaluar nëpër instanca të ndryshme të gjykatave dhe prokurorive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb