TIRANË- Dy ditë pas arrestimit të autorit të dyshuar të ekzekutimit të Komisar Artan Cuku, policia ka shpallur në kërkim edhe dy vëllezërit Bujar e Florian Daka, të dyshuar si porositësit e kësaj vrasjeje.

Ata janë dy vëllezërit e Agim Dakës, i vrarë në zyrën e komisar Artan Cukut në kohën kur ai ishte shef krimesh në Tiranë.

Policia ka shkuar në banesën e tyre në Shkodër por nuk i ka gjetur. Paraprakisht dyshohet për një lidhje mes tyre dhe autorit Mikel Shallari, identitetin dhe foton e të cilit News24 dhe BalkanWeb e zbuloi dhe publikoi dje për herë të parë.

Që në fillim policia hetoi në pistën e hakmarrjes për vrasjen e komisar Cukut për shkak të vrasjes së të riut Agim Daka në zyrën e tij.
Mësohet se Agim Daka u vetëvra në zyrën e Cukut në vitin 2005 ku ndodhej për t’u marrë në pyetje. Pas ngjarjes pati dyshime për versionin e vetëvrasjes të deklaruar zyrtarisht nga policia.

Vëllai i viktimës, Bujar Daka nga fshati Cërrnicë i Tropojës ishte arratisur së bashku me 2 persona të tjerë nga ambientet e paraburgimit në Shkodër dhe për këtë policia kishte ndaluar vëllain e tij për ta marrë në pyetje. Por pas 11 orësh në polici Agim Daka u vetëvra.

Mësohet se bashkëshortja e tij ishte vetëvrarë pak kohë më parë dhe Agim Daka ishte shpërngulur nga Shkodra në Tiranë për shkak të një hakmarrjeje të mundshme nga familja e bashkëshortes.

Ai është ndalur në një postbllok për shkak të ngjashmërisë së madhe me vëllain e tij të arratisur dhe është shoqëruar në komisariat për verifikim ku edhe u deklarua se kishte rrëmbyer pistoletën e Cukut, atëkohë shef i komisariatit nr.4 dhe ishte vetëvrarë.

SHOQËRIMI
Menjëherë pas vrasjes së komisar Artan Cukut më 8 prill të këtij viti, Policia e Tiranës shoqëroi dy prej vëllezërve të Agim Dakës.
Ata u sollën nga Shkodra në Tiranë ku u morën në pyetje nisur nga dyshimet se ekzekutimi i ish-zyrtarit të policisë mund të ketë ndodhur për hakmarrje.
Vëllezërit e viktimës, një prej tyre i liruar prej 1 viti nga burgu kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen duke pretenduar se çështjen e vëllait e kanë sqaruar vite më parë.

“Nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen. Me komisarin e kemi mbyllur këtë punë që kur vdiq vëllai”, kanë deklaruar ata, raporton “BalkanWeb”. Përveç kësaj, të dy vëllezërit kanë pasur alibi pasi në kohën e ekzekutimit të Cukut ndodheshin në Shkodër.

Ata janë mbajtur për 24 orë në Policinë e Tiranës e më pas janë lënë të lirë. Ish-drejtori i Policisë së Vlorës u vra në një atentat në pallatin ku jetonte kur po ngjitej në apartamentin e tij nga persona që ende nuk janë identifikuar.

Artan Cuku ka pasur disa detyra të larta në Policinë e Shtetit deri në vitin 2013 kur u nxor në lirim. Kohët e fundit ai drejtonte një polici private. Policia po heton në disa pista për zbardhjen e vrasjes.

DËSHMIA E BABAIT
Dy ditë pas vrasjes së komisarit, babai i Agim Dakës, Prelë Daka ka folur për “News24” e “BalkanWeb”. Ai ka deklaruar se me komisar Artan Cukun janë pajtuar sipas kanunit pas vdekjes së të birit.

“S’kemi lidhje me vrasjen e Artan Cukut. E kemi mbyllur atë çështje dhe jemi pajtuar sipas kanunit. Artan Cuku ka bërë be në xhami se djali im Agim Daka është vetëvrarë dhe unë dhe familja ime e kemi besuar. Nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen e Artan Cukut sepse e kemi mbyllur shumë vite më parë”, ka deklaruar dy ditë pas vrasjes së komisar Cukut, babai i Agim Dakës.

Ai ka rrëfyer më tej se kanë dorëzuar në polici pamjet filmike të pajtimit mes dy familjeve në xhami.
“Kemi dorëzuar në polici kasetat me pamjet filmike kur dy familjet tona janë pajtuar ne xhami. Djemtë i kanë shoqëruar por ata i kanë thënë policisë se s’kanë lidhje me vrasjen dhe më pas i kanë liruar”, ka rrëfyer Prel Daka.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: