Një histori pasioni mes një parukiereje dhe një pedagogu, që rrok thyerjen shoqërore dhe thyerjen e individit në një sistem. “Të edukosh Ritën”, pjesa e shkruar nga Uilli Rasell, me regji të Kiço Londos dhe interpretimin e Laura Nezhës e Mehmet Xhelilit, është një komedi psikologjike që duke zbërthyer dy personazhet shpërfaq skutat tona më të errëta.

“Ajo që po jetojmë të gjithë në këtë sistem është prishja e lidhjes, humbja e njëri-tjetrit. Lëshimi i dorës. Unë mendoj se struktura shoqërore e sociale në Shqipëri ka një goditje në kolonë. Kjo vepër rezonon shumë mirë me këtë moment. Ajo që e ka bërë strukturën shoqërore në Shqipëri është banaliteti me të cilin trajtohet një nga problemet më të mëdha që ka njerëzimi sot, vendosja e ekuilibrit mes parasë dhe kuptimit të jetës, ndjeshmërisë”, shprehet Kiço Londo.

Një burrë në moshë dhe në karrierë, i degraduar nga pija dhe boshi, befas një ditë, sheh të vijë para tij një studente magjepsëse nga bukuria dhe e etur për dije. Tashmë e di se udha e tij nuk ka për të qenë e lehtë.

“Kjo histori e bukur pasionesh, ëndërrimesh, poetike, lirike, e kësaj pjese e me shumë humor, me shumë dashuri që siç thotë Kiço ka edhe shumë erotikë, pra gjithë këto ndjenja të fuqishme e të furishme, të domosdoshme për kohën që jetojnë, kanë ardhur në kohën e duhur për t’ia komunikuar spektatorit”, thotë Xhelili.

Të edukosh Riten prek teatrin veror të Akademisë në datat 30 dhe 31 korrik në orën 21:00. Mësimi që rreket të japë është riaftësimi ynë në raport me të tjerët dhe rigjetja e lidhje dhe duarve që lëshuam.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb