Emisioni “FrontLine” këtë të hënë, solli një minireportazh për Lagunën e Karavastasë.

Parku, i ka shpëtuar më së miri urbanizimit dhe betonizimit të “egër” dhe është i tejmbushur nga pyje të egra dhe pasuri ujore. Drejtuesja e emisionit, Marsela Karapanço zhvilloi një intervistë të shkurtër me drejtorin e Parkut Kombëtar të Karavastasë, Adrian Koçin.

Teksa shëtisnin me varkë nëpër hapësirat e lagunës, Koçi tregonte se si ka ndryshuar zona në pak vite. Fillimisht thotë ai, numri i turistëve ka qenë i ulët, e për pak vite, ato u shumëfishuan.

Zona sipas Koçit frekuentohet në masë tanimë jo vetëm nga turistët vendas, por edhe të huaj.

Pelikani gjithashtu është një shpend unikal për zonën, por edhe flamingot vitet e fundit kanë gjetur strehim në lagunë. Përgjatë ambienteve të lagunës, pelikanët kanë ndërtuar diku te 82 fole, e ky numër pas fazës së riprodhimit pritet të rritet.

“Kam 8 vite që jam drejtor në Parkun Kombëtar Divjakë Karavasta. Kur i referohem fotografive të vjetra, shikon që ndryshimi është i madh. Nëse i referohemi shifrave shikojmë ndryshimin e ndodhur. Unë do të përmend numrin e turistëve, që në 2014 kanë qenë 300 mijë turistë. Si shifër duket e madhe, por kryesisht kanë qenë vizitorë për plazhin. Në 2019 ka qenë rreth 550 mijë vizitorë dhe ndryshimi duket në numrin e vizitorëve të huaj.

Ata kanë qenë rreth 65 mijë vizitorë të huaj, do të thotë që parku ynë është bërë i njohur dhe ndërkombëtarësh. Kolonia e pelikanëve ka ndryshuar, në 82 fole gjithsej, kemi mbidyfishim të rritjes së numrit të foleve. Pelikani e ka përfunduar riprodhimin e këtij viti në fund të qershorit dhe në këtë periudhë ata lëvizin. Peshku karakteristik janë koca, levreku, burdullaku, ngjala. Laguna duke qenë i mbyllur ka vetëm tre vende komunikimi me detin, për 20 vite këto kanale komunikimi nuk punohen më”, tha Koçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb