Në shtëpinë e Tiranës kanë kohë që po mendojnë për detajet e festës, titulli mbetet çështje numrash, por ky detaj po zgjatet në kohë duke u kthyer në bezdisje, pasi dhe presioni i tifozëve sa vjen e shtohet. Nuk arritën të festonin as në Laç por shpresojnë ta bëjnë këtë gjë kundër kampionëve në fuqi, Teutës. Orges Shehi kërkon nga ekipi i tij përqendrim maksimal, të mendojnë vetëm për sfidën ndaj durrsakëve, më pas të mendojnë me qetësi për të ardhmen:

“Duhet të futemi nesër në fushë për të shkuar te fitorja. Nuk duhet të ngarkohemi shumë nga ana emocionale, të mendojmë për gjëra të tjera pas ndeshjes. Të fokusohemi te 90 minutëshi. Luajmë ndaj një kundërshtari që po bën mirë javët e fundit dhe i gjithë përqendrimi duhet të jetë aty dhe jo te ajo çfarë ndodh pas ndeshjes”.

“Nuk jemi të plotë. Mungon Devid për shkak të dëmtimit që pësoi në Laç, Xhixha nuk është akoma në maksimumin e tij. Madje në ndeshje e fundit nuk e kishim grumbulluar, për të mos rrezikuar. Nesër do të shohim gjendjen e tij, nëse do e kemi të gatshëm apo jo. Mungojnë edhe Nuriu e Bytyqi”.

“Sigurisht që vështirësi ka për ta motivuar ekipin. Ka qenë një periudhë, që pas një kampionati të mirë që kanë bërë të gjithë lojtarët, shumë lojtarë kanë oferta. Kjo i pështjellon pak ata. E kam thënë edhe më parë që edhe distanca e pikëve e ul përqendrimin. Nuk jemi aty ku duhet sa i përket grintës dhe dëshirës, por shpresoj që nesër duhet të na rikthehet kjo, të kemi uri nesër, pasi për herë të parë kemi pësuar dy humbje radhazi”.

“Kur sjell një pështjellim, humbet edhe përqendrimi. Kur ndodh kjo është e vështirë që në momente të caktuara të kesh vlerësimin e duhur të situatave. I kam kërkuar skuadrës, që pas humbjes me Laçin, të mos mendojë për asgjë tjetër, të mos ketë asnjë lloj shpërqendrimi, por vlerësim maksimal te sfida e nesërme. Është një ndeshje e rëndësishme për t’u kthyer aty ku duhet”.

“Kampion ndaj kampionëve të vjetshëm? Është një moment që e bën emocionues dhe shpresojmë të kemi fat. Është diçka e bukur nëse e sigurojmë titullin përballë skuadrës kampione”.

“E ardhmja? Nuk mendoj se duhet të fokusohemi te kjo. E thashë edhe më parë, kjo periudhë, kjo distancë e pikëve, shpërqendrimi, ndoshta edhe duke menduar për të ardhmen kur akoma nuk ka përfunduar e tashmja, na ka bërë që të ulim marshin dhe ritmin. Kur them për skuadrën që nuk duhet të mendojë gjëra të tjera, brenda saj jam edhe unë, pasi jam i pari i skuadrës që duhet të jem i fokusuar dhe ta përcjell te pjesa tjetër. Nuk ka asgjë urgjente për të parë për të ardhmen, pa përfunduar e tashmja”, u shpreh Shehi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb