TIRANË

Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ku njoftoi vendimet e marra, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi iu përgjigj interesit të mediat, lidhur me deklaratat e bëra një ditë më parë nga babai i Klodian Rashës, vrarë nga një efektiv policie, një vit më parë.

Në homazhet e një ditë më parë, Qazim Rasha kërkoi nga shteti identifikimin e personit që vendosi një pistoletë në afërsi të trupit të të birit me qëllim inkriminimin e tij, deklaratë për të cilën ministri Çuçi tha se ka një hetim në polici.

“E para, çdo gjë, lidhur me atë ngjarje është zbardhur në mënyrën më profesionale nga Policia e Shtetit dhe në kohë rekord. Në lidhje me pyetjen tuaj, unë nuk kam dijeni që prokuroria të ketë mohuar një gjë të tillë. Ka pasur hetime, qoftë hetim të brendshëm në Policinë e Shtetit, qoftë një hetim më gjithëpërfshirës në lidhje me ngjarjen, ku pjesa e parë, besoj se jeni të gjithë të informuar, tashmë është në kanalet e procesit gjyqësor, ku besoj se dhe vendimet përfundimtare mbas gjithë hallkave të sistemit gjyqësor, do të përfundojnë me dënimin e punonjësit të policisë që ka kryer këtë krim.

Për pjesët e tjera sigurisht që vazhdojnë hetime, edhe në polici, brenda policia ka hetime të tilla dhe besoj që në momentin që do kemi një rezultat konkret në lidhje me këtë gjë, pa diskutim që do bëhet publike.- u shpreh Çuçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb