Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ardian Isufi, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për zgjedhjet e 25 prillit dhe zgjedhjet e 13 qershorit për kryetarin e ri të PD.

Duke u ndalur te “25 prilli”, Isufi tregoi arsyet, që sipas tij, çuan në humbjen e PD, teksa tha se vjedhja e votave është vetëm gjysma e së vërtetës, ndërsa gjysma tjetër duhet kërkuar pikërisht brenda vetë PD-së dhe mënyrës si e bëri fushatën.

Sipas tij, dorëheqja e Bashës nga kryetar i PD nuk do ta forconte atë, përkundrazi do të ishte një akt pozitiv, ndërsa shtoi se në të vërtetë më 13 qershor nuk pret surpriza.

“Sot jemi në një pikë ku maturia dhe mençuria duhet të jenë të mëdha, sepse PD po kalon një moment të rëndësishëm se ku do të shkojë. Humbja nxori në pah shumë elementë, që duhet të ridimensionohen. Unë jam për një PD të reformuar, duhet patjetër të kemi një PD me “fytyra të reja”, sepse dashur pa dashur një parti e mbulon mediokritet dhe vjen koha e duhet të hapet. Jo vetëm për kryetarin, por duhet parë në gjithë spektrin e saj. Nuk mund të fajësojmë vetëm Bashën për humbjen, edhe pse është njeriu qendror që i dha pamje fushatës, por mendoj që ka të bëjë e gjithë struktura. Basha ka qenë njeriu qendror, por këshilltarët, konsulentët, ata që u morën në gjithë strukturën e partisë, kanë gjërat e tyre, që nuk kanë funksionuar. Edhe në terren besoj puna ka qenë relativisht jo shumë e mirë. Gjysma e së vërtetës është se janë vjedhur votat, por gjysma tjetër është se ne duhet të merremi me veten, brenda partisë. Fatkeqësisht PD u konceptua si një parti e vjetër, për mënyrën si u organizua fushata, si jepeshin mesazhet. Një pjesë e konsiderueshme e elektoratit gri, ku ne duhet të kishim një fokus më të madh, duhet patjetër të kishim një taktikë tjetër, strategji tjetër, për t’i ofruar. Duhet t’iu ofroheshim dhe qaseshim njerëzve me premtime reale, që ata i shqetësojnë, se me premtime që futeshin në agjenda aritmetike. Psh. thuajse të gjitha premtimet lidheshin me buxhetin e shtetit dhe kur krijohej një shumatore, nuk dilnin paratë. Të themi të vërtetën shqiptarët janë më shumë pragmatistë, nuk ecin më me ideale si në vitet ‘90. Të gjitha këto kundërshtari i kuptoi më mirë se ne, edhe pse ishte më poshtë. Kauza e PD ishte e mirë, por instrumentet që përdori jo”, u shpreh ai.

Do ishit pro dorëheqjes së Bashës?
Janë dy momente për t’u diskutuar. Së pari, në statutin e PD kjo gjë nuk ekziston, pra ngelet në dorën e tij. Së dyti, në aspektin moral çdo lidership bën një akt që nuk e dobëson, por patjetër që do ta forconte më shumë edhe vetë z. Basha me aktin e dorëheqjes. Ne duhet të japim një shembull për shoqërinë shqiptare, se PD po punon për të nxjerrë të vërtetën, por përmes institucioneve. Ky proces ec në mënyrë paralele edhe me mandatimin e deputetëve të rinj. Por akti moral i ngel lidershipit, që e forcon atë. Ky nuk është akt i humbjes, por i një përgjegjësie të madhe para një partie. Me këtë shembull, ai rioarganizon PD, ku sot kemi zëra kundër, që e dëmtojnë këtë parti, siç ka ndodhur dje. Dobësimi mund të vijojë, duke dëmtuar partinë.

Po kandidimi me aleatët si mendoni se ndikoi?
Formati që u konceptua, PD me aleatët bashkë në zgjedhje, solli një mosbesim shumë të madh. Publiku të analizon dhe vëzhgon, sepse ka një çorientim identiteti politik. Çorientimi vjen kur ke psh dy parti si e Idrizit dhe Dules, që nuk kanë qenë të vendosur. Ndonjëherë ndodh që nuk të voton njeri për detaje të tilla. Një nga problemet e mëdha është edhe e ashtuquajtura Reforma Zgjedhore, që nuk pranoheshin koalicionet, ku ne dashje pa dashje e çuam në hulli të Ramës gjithë atë proces, që do të jepte një rezultat komplet tjetër në favor të opozitës.

A prisni surpriza në zgjedhjen e kryetarit të PD?
Nuk mendoj se do të ketë ndonjë surprizë. Gjithsesi, kam një qasje optimiste. Qasja e re më bën optimist që me këtë diskutim PD po bën një gjë shumë të mirë. Nuk është një diskutim vetëm për kryetarin, por është në shtrirje horizontale, deri tek elementi më i thjeshtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb