TIRANË- Komiteti Drejtues Kombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim është mbledhur sot, dy ditë pasi kryetari i saj Ilir Meta u zgjodh President i Republikës. Pikërisht mbledhja e Komitetit Drejtues i ka shërbyer riorganizimit të partisë.

Burime për “BalkanWeb” bënë me dije se në mbledhjen e KDK-së, Presidenti i zgjedhur Ilir Meta ka dorëzuar funksionet drejtuese në parti, ndërsa u vendos që javën e ardhshme të zgjidhet nga Konventa Kombëtare kryetari i LSI-së dhe zv/kryetari i parë i LSI-së.

Sipas të njëjtave burime “BalkanWeb” mëson se Konventa do të votojë dy emra për kupolën drejtuese të LSI: Petrit Vasili do votohet për kryetar në vend të Ilir Metës si dhe Monika Kryemadhi, e cila do të garojë për postin e zv/kryetarit të parë të LSI, post që do jetë numri dy në LSI. Zonja Kryemadhi e pranoi që nuk do të qëndrojë në kornizat e “Zonjës së Parë”.

Petrit Vasili u përfol edhe më herët për ardhjen në drejtimin e partisë. Kjo e deklaruar edhe nga ish-kryetari Meta, pak minuta pas zgjedhjes si President, sipas të cilit Vasili si zëvendëskryetar i parë ishte më i votuari edhe nga Konventa.

Ndërkaq në mbledhjen e KDK-së është vendosur gjithashtu se kush dëshiron të konkurrojë për numrin dy në LSI duhet të paraqesë kandidaturën deri ditën e martë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb