Ish-deputeti i PD-së Agron Shehaj, koordinator i kësaj force politike në njësinë 5 dhe 7 në Tiranë, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se në Shqipëri, të gjithë duan ndryshimin.

“Me votë funksionoi në Kosovë dhe kështu funksion edhe në Shqipëri. Duhet të mësojmë nga Kosova. Shpresoj që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme, sepse nëse nuk kemi, kemi humbur gjithçka. Nëse nuk ka zgjedhje të lira, Shqipëria do ketë të njëjtat problematika, probleme me votat, me vjedhjen e votimeve, me skandalet.

Me Ramën nuk ka garanci për zgjedhje të lira. Në Shqipëri të gjithë duan ndryshim. Opozita do të fitojë më 25 prill. Qeveria është e përlyer me krimin, Rama dështoi me zgjedhje të lira, me integrimin. Rama kishte 3 kushte për pengesë të integrimit, kurse sot ka 5”, tha Shehaj.

Agron Shehaj nënvizoi se zgjedhjet në Kosovë ishin një leksion demokracie për Shqipërinë.

“Zgjedhjet në Kosovë janë leksion demokracie për Shqipërinë, nuk kishte incident, rezultati ishte brenda ditës. Ishte realisht leksion për Shqipërinë, duke pasur parasysh që është një shtet që ka vetëm 13 vjet pavarësi dhe është realisht shpresëdhënëse e frymëzuese për qeverinë shqiptare. Duhet të mësojmë nga këto zgjedhje. vetëm me zgjedhje të lira e të ndershme mund të kemi qeveri që punon për njerëzit. Por nëse një qeveri vjen me krimin, do shërbejë me trafikantët e kriminelët. Mjafton të shikosh si i fitoi zgjedhjet Rama. Dëshirën për ndryshim s’ka asgjë që ta ndalë”, u shpreh Shehaj.

Po ashtu, Shehaj vlerësoi se të gjithë njerëzit janë entuziastë për programin e PD-së, duke shtuar se qytetarët janë lodhur nga qeveritarë, që mendojnë vetëm për vetveten.

“Edi Rama sot është i plotfuqishëm, vendos kë të dojë ministër, vendos për çdo gjë. Rama bën çfarë do dhe ky njeri është pengesa. Ka një njeri në pushtet. Duke hequr Ramën, kushtet për integrim plotësohen. Ne si PD mendojmë se e ardhmja e Shqipërisë është padyshim në BE.

Situata duket hapur, njerëzve iu ka ardhur në majë të hundës, ka ikje të të rinjve, sepse janë të demoralizuar nga këta qeveritarë. Qytetarët duan ndryshim, duan të na dëgjojnë. Të gjithë janë entuziastë për programin e Partisë Demokratike. Në zonën 5 dhe 7 ku unë kandidoj, duhen qeveritarë që kujdesen për njerëzit dhe vendin. Qeveritarët punojnë vetëm për vete dhe prandaj njerëzit ikin”, deklaroi Shehaj.

(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb