Janë krijuar dy Shumica në Shqipëri.
Shumica e Parë, është padyshim kundër teprisë së pushtetit të Qeverisë dhe të qeveribërësve.
Shumica e Dytë, po krijohet trasversalisht: kundër Lulzim Bashës.

Duke analizuar pa paragjykime, teza kryesore kundër Bashës është: “As nuk di dhe as nuk do, të fitojë! E pra Basha duhet të ikë, dikush tjetër e mund këtë Shumicë që na qeveris… e bla, bla, bla…”
Ja të themi se iku Basha, e la Partinë Demokratike, në duart e demokratëve, sipas kritikëve të ashpër: “demokratësve të çliruar nga Hija e Bashës!”

E pastaj çfarë ndodh, si vjen Fitorja?!
Askush nuk ka asnjë përgjigje serioze, që të peshojë politikisht dhe të jetë e strukturuar nga ana organizative, step by step.
Skenari më i mundshëm pas largimit të Lulëzim Bashës, do të ishte, hiç më pak sesa: Shkërmoqja e Partisë Demokratike.

Fillimi i Luftës për “kapjen” e postit të Kryetarit, një betejë e “përgjakshme” dhe pa arbitrazh (përveç ndërhyrjes së Doktorit dhe berishizimit të ri të partisë …)

Lufta për kryesimin e Partisë Demokratike, do të vijonte gjatë dhe përkundrejt PS, plagët në trupin e PD, do ishin gjithmonë e më të thella, fraksionet do ishin gjithmonë e më të shitëshme, ashtu si edhe ndodhi në prag të Zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, me së paku 4 fraksione të djathta, që konkuruan për të kafshuar vota (dhe kafshuan realisht) nga ish Partia e tyre, Partia Demokratike…

Të kërkosh sot dhe në këto kushte “largimin” e Bashës, do të thotë të çosh ujë në mullirin e Mullixhiut veshur me rozë dhe pink. Do të thotë të çash Partinë Demokratike dhe më pas, kuptohet, të falësh mandatin e katërt për Partinë Socialiste të Ramës…

Është pra Lulzim Basha, më i miri në fushë?
Shikoni votat që mblodhi. Mbani shënim kush e prishi mbledhjen e korrikut të kaluar, që në mënyrë absurde përjashtoi koalicionet parazgjedhore.

Askush paraprakisht nuk e besonte këtë rezultat që Basha morri më 25 Prill 2021.
Zvjerdhjen e sinqertë të Ramës besoj e mbani mend me 25 në darkë, para se të fillontë operacioni masiv “fletët e pavlefshme!”, që deformoi rezultatin në balancat e veta më thelbësore!

Pff! Pse duhet ti kujtojmë këto? Sepse i harroni, me apo padashje, se kush është objektivi juaj i vërtetë politik: O Ju anti-Bashistë të shumtë, që keni mbirë si kërpudha pas shiut!
Pyetje. Po shiun kush e porositi, që vaditi farat e kërpudhave në dilemë?
Bah! Fabul pa kuptim. Thjesht emocione, relacione dhe tranzitim interesash…/360grade.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb