NGA KIÇO BLUSHI*

Më në fund, pas shumë grindjesh dhe mosmarrëveshjesh për formulimin e projektligjit për dekriminalizimin e politikës dhe pas miratimit të ligjit me konsensus, nuk mbeti as edhe një udhëheqës i lartë partie (njëri pas tjetrit e përshëndetën këtë ligj Rama, Basha, Meta dhe Berisha, a thua se secili prej tyre mezi e kishte pritur ditën e lume të dekriminalizimit!), sikurse dhe ambasadat e huaja, më të përkushtuarat, e SHBA-ve dhe e BE-së…

Nuk mund të mënonte e të mos shprehej entuziast për dekriminalizimin e shumëpritur edhe vetë Presidenti i Republikës, Nishani. Të gjithë së toku, me një ngazëllim të pazakontë u shfaqën njëzëshëm të lumtur e të lehtësuar për këtë ligj i cili, me gjasë, ka për të hapur një “epokë të re”, duke e shpëtuar (më në fund!) popullin shqiptar nga sundimi i kriminelëve të politikës, të cilët në këto vitet e fundit kanë mësyrë e zaptuar hileqarisht pushtetet, si në qendër dhe në periferi, si lart dhe teposhtë.

Pas janarit, kur të hyjë në fuqi ky ligj, kriminelët e politikës nuk do të ikin “në drejtim të paditur”, nuk do të na kapardisen, nuk do të bëjnë karrierë, nuk do të zgjidhen dhe nuk do të emërohen më nëpër poste të larta nga kryetarët e partive. Ata do të identifikohen dhe do të zbulohen ku janë e ku nuk janë, një për një, duan apo nuk duan. Kështu që shoqëria shqiptare do të ndihet, mbas janarit, më e pastruar si moralisht, edhe fizikisht.

Mjaftojnë citimet e mëposhtme për të ndjerë ngazëllimin e krerëve tanë partiakë pas miratimit të ligjit për dekriminalizimin, por edhe dilemën ende “të pazbardhur” të qytetarëve: kush ka pas qenë ai qen bir qeni që na e ka lënë në derë kopilin e kriminalizimit? Si na patën hyrë në politikë kriminelët? I zgjodhëm ne ata, apo na zgjodhën ata ne, si qytetarë të mefshtë, “pa kulturë të mjaftueshme demokratike”? Me siguri jemi ne, qytetarët, shkaktarët, jemi ne fajtorët, derisa kryetarët e partive janë kaq të gëzuar që i lanë duart nga “Mark Frrokët”.

Këtyre pyetje-dyshimeve sigurisht nuk u jep dot përgjigje ligji në fjalë. Por ato lindin vetvetiu. Janë në thelb të problemit, edhe pse deklarimet e krerëve tanë duan të na mbushin mendjen se nuk kanë qenë e nuk janë ata fajtorë për kriminalizimin e politikës, paçka se situata kriminalizuese paskësh shkuar larg, në atë derexhč, saqë, nën trysninë e ndërkombëtarëve, të miratohej një ligj i tillë dekriminalizimi, më “i ashpri në Evropë”.

Ja ç’na kanë mëtuar ata këto ditë:
Rama: ”…Pres me padurim që me hyrjen në fuqi të ligjit për dekriminalizimin të shohim kush janë kriminelët…SHQUP numëron 19…Dhe nga ana tjetër, secili të marrë përgjegjësi për çdo shpifje të bërë për interesa politike….”
Meta: “…E rëndësishme është që qytetarët shqiptarë do të jenë më të qetë për integritetin e përfaqësuesve politikë jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen. Nuk ka rëndësi sa emra do të preken; ligji do t’i shërbejë së ardhmes….”
Basha: ”…Dekriminalizimi lindi si një ide e opozitës dhe u mbijetoi të gjitha intrigave dhe makinacioneve të kryeministrit Rama….”
SHBA: ”…Ambasada e SHBA-ve mirëpret vendimin e guximshëm të parlamentit shqiptar për dekriminalizimin. Ky ligj është më i ashpri në Evropë kundër kriminelëve në politikë.”
BE: “…Ky zhvillim legjislativ pritet të forcojë sundimin e ligjit, të rrisë integritetin e zyrtarëve publikë, të rrisë luftën kundër korrupsionit, por edhe të rrisë besimin e qytetarëve në funksionimin e shtetit dhe institucioneve të tij.”

Përshtypja e parë që të krijohet nga sa më sipër, është se krerët e partive duan të na bindin edhe një herë tjetër se ata vetë i kanë duart të pastra; se ata po na çojnë “në drejtimin e duhur”, pavarësisht se kundërshtojnë njëri-tjetrin; se nuk kanë ata asnjë përgjegjësi për kriminalizimin; se secili syresh mezi e paskësh pritur këtë ditë që të dekriminalizohemi; të dekriminalizohemi që “të rritet besimi i qytetarëve dhe integriteti i politikanëve dhe zyrtarëve…”; se kriminelët nuk janë “me ne”, nuk gjenden “në anën tonë”, por, si përherë, në palën tjetër…

Por askush syresh nuk na ka shpjeguar: kush do t’i zbulojë pas janarit kriminelët, të cilët, nuk janë të paktë? Sipas PD-së, gjenden edhe 19 të tjerë të koalicioni PS+LSI, kurse sipas Ramës qenkan po aq, 19 copë kriminelë të pazbuluar te PD-ja…Po të marrim të mirëqena shifrat e tyre, gjithsej, kriminelët e pazbuluar që do të dalin në janar, përbëjnë jo më pak se 38 kriminelë në Kuvend, pa përmendur disa kryebashkiakë të dyshuar dhe zyrtarë të lartë të emëruar në administratë anekënd vendit…A do të dorëzohen vetë këta duke na kërkuar ndjesë: “I dashur popull, më falni, unë e pranoj: kam qenë kriminel, ndaj po i dorëzohen ligjit”…, apo do të denoncohen dhe do t’i dorëzohen Drejtësisë nga partitë dhe nga kryetarët përkatës? Apo mos vallë, shprehja e Ramës ‘mezi pres të shohim kush janë kriminelët’ është cinike, që do të thotë se as njëra dhe as tjetra nuk do të bëjë vaki, pasi, 19 kriminelët e presupozuar të PS+LSI do të eliminohen, ashtu si ndodh pas shumëzimit të plusit me minusin? Pikërisht kjo “matematikë” e përplasjes të të kundërtave për të asgjësuar të vërtetën, u krye fill pas miratimit të ligjit dekriminalizues me kryetarin e PS-së në Shkodër, Martin Cubin. Jo më larg se dje ky person u akuzua nga PD-ja si vrasës, ndërsa nga PS-ja u mbrojt si një viktimë që qenkësh detyruar të vetëmbrohej me “armën që e kish me lejë”…. E pra, a ka burrë dhe grua, a ka prokuror dhe gjykatës që të hyjë në mes të këtij bombardimi ndërpartiak për të zbuluar të vërtetën?
***
Me pak kthjelltësi kujtese mund të kuptohet se, po të mos kishte ndodhur dhe po të mos ishte regjistruar nga kamerat e Kuvendit rrahja e deputetëve, po të mos kishte ndodhur lufta me armë në lagunën e Patokut, ku personazh kryesor qe një deputet cub, po të mos kishte kërkuar ekstradimin e ca kriminelëve të tjerë Interpoli, vështirë të guxonte kush nga deputetët të fliste për nevojën e ligjit të dekriminalizimit. Jo më kot një deputete socialiste, kur për herë të parë u fol për kriminelët në Kuvend, pasi lexoi SMS-në në celular, i tha denoncuesit: “Thuaji kush janë, thuaji me emër!”…Dhe deputeti kundërshtar nuk guxoi t’i përmendë me emër duke u justifikuar: E dini vetë, zbulojini vetë!…Jo më kot, policia e la të lirë dhe nuk e arrestoi trafikantin e ndjekur e të fshehur në makinën e deputetit…

Shembuj të tillë mund të jepen pa fund! Krimi dhe kriminelët është e vështirë t’i denoncosh, edhe po t’i zësh në flagrancë. Ata “ikin në drejtim të paditur: para syve tanë. Në mos nga “procedurat” dhe nga imuniteti, keqbërësit janë të mbrojtur nga frika terrorizonjëse e qytetarëve për të thënë e për të mbrojtur të vërtetën edhe para organeve të policisë dhe Drejtësisë. Sepse jemi shoqëri e varfër, e vobektë, e dalë nga diktatura dhe nga tranzicioni i tejzgjatur i hyrjabyrjes, ku pasiguria dhe tundimi bashkëjetojnë në incest moral, duke e vënë përfund ligjin dhe ndershmërinë, qoftë edhe në këmbim të një ore të shtrenjtë, të një veture “Jaguar”, të një vile në bregdet, apo, akoma më mirë, të një posti në parti ose, ca më mirë, në qeveri….

Jemi vend i vogël ku të gjithë dalim të njohur: ose miq, ose kushërinj, ose armiq, ose të lidhur me interesa të çastit. Ndaj, si këtu edhe në Kosovë, vështirë të gjesh dëshmitarë, edhe po të dalë e t’i kërkojë me qiri në dorë kryeprokurori Llalla; madje edhe sikur t’i kërkojë Gjykata e Hagës…Nuk ka shqiptar të gjallë që nuk e di se po mbrojte dhe po guxove të thuash të vërtetën, je i rrezikuar. Je i kërcënuar jo vetëm nga ai që do të denoncosh, por ca më keq: nga bashkëpunimi i kriminelëve të kamur dhe të veshur me pushtet partiak me organet e policisë dhe të Drejtësisë. I vetmi shpëtim, e vetmja mbrojtje për qytetarët e ndershëm dhe sidomos për ata që e pësojnë në kurriz padrejtësinë mbetet: ose mbyllja e syve, e veshëve dhe e gojës, ose vetëgjyqësia. Tjetër rrugë nuk ka.

Për këto arsye të mosarsyes, ne, qytetarët, por edhe policët, prokurorët, gjykatësit e sidomos zyrtarët dhe politikanët nuk mund t’i rezistojnë dot tundimit të një “ore të shtrenjtë”, ashtu sikundër frikës për të nesërmen e familjes së tyre. Ky është deti ku, duam apo nuk duam, bashkëjetojmë, zihemi, asfiksohemi dhe ndyhemi të gjithë. Më sak, kjo është këneta ku vazhdojnë të krakërrijnë bretkosat mediatike, ku lëvrijnë larvat e gjykatave dhe komisariateve, rrëshqanorët e zyrave, mushkonjat e partive, ku mërzejnë peshkaqenët vendorë të politikës në bashkëpunim me krokodilët ndërkombëtarë…
E pra, që nga janari e tëhu, a do të vetëpastrohet politika dhe më pas edhe shoqëria me këtë ligj, nëse ata që na e kriminalizuan jetën vazhdojnë të çirren e të kërkojnë nëpër media e foltore: “Kapeni hajdutin”?

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: