Në leksionin me studentët e Kolegjit Universitetit ‘Luarasi”, biznesmeni Samir Mane tha se Shqipëria mund dhe do të bëhet më mirë, dhe se politika ka pjesën e vet në këtë proces.

Ai tha se në Shqipëri ka varfëri, por për të qenë më optimistë, duhet ta krahasojmë atë me vendet e tjera më të varfra, pra duhen krahasuar faktet.

“Ka shumë varfëri në Shqipëri, por po ta shihni varfërinë e Indisë, në fshatrat e Kinës, do ta shihni se Shqipëria nuk është një vend aq i varfër. Por, probleme ka sa të duash. Më optimistë bëhemi duke krahasuar faktet. Siç e thashë, Shqipëria ka shumë probleme dhe do ketë, se është në proces tranzicioni. Por, optimizmi vjen nga puna, kur njeriu sheh që sot ka bërë diçka më mirë se dje, nesër do bëjë diçka më mirë se sot.

Shqipëria ka vështirësitë e veta, që i vuajnë një pjesë e madhe e njerëzve. Natyrisht që mund të bëhet më mirë, të gjithë na takon që të marrim pjesë, që Shqipëria të bëhet më mirë. Unë e besoj, por edhe kolegu Hysenbelliu beson, ne jemi nga njerëzit që duam një Shqipëri më të mirë, pasi ne nuk jemi këtu tranzit. Kemi filluar bizneset tona në ’90 dhe vazhdojmë akoma dhe duam një Shqipëri më të mirë, edhe për faktin se bizneset tona kanë më tepër vlerë.

Në qoftë se është një Shqipëri më e mirë, më e drejtë, më e rregullt, me politikanë më të mirë, edhe ne individualisht i gëzojmë ato fryte. Unë besoj që Shqipëria do të bëhet më e mirë. Natyrisht që politika ka pjesën e vet në këtë proces”, deklaroi biznesmeni Mane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb