Ditët për banorët e këtij fshati kanë “ndaluar” që prej dy vitesh. Shqetësimi i tyre është është se kur do u ndërtohen shtëpitë e reja. Ky shqetësim i ndjek ata në përditshmëri, kur zgjohen në mëngjes, kur shkojnë në arë, në bisedate tyre të përditshme, për plot 24 muaj. Nuk e dinë nëse do të bëhen më shtëpi, e shpresa po u venitet dita ditës. Tashmë lutjet e tyre janë drejtuar vetëm tek Zoti, me qëllimin, se mos ndoshta lutjet e tyre do të dëgjohen. Por si i kujtojnë mëngjesin e 26 nëntorit, disa nga banorët të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë?

Hava Allushi është një nënë e cila jeton e vetme në fshatin Rranxë të Krujës. Bashkëshorti i ka vdekur, dhe e vetmja vajzë që ka, është martuar, dhe siç thotë 64-vjeçarja, ajo tashmë ka hallet e veta. Shtëpia e nënës është cilësuar “për t’u riparuar”, por që sipas saj, ky nuk ka qenë një vlerësim I drejtë.

Nënë Havaja, tregon se këto dy vite kanë qënë shumë të vështira. Përvec problemeve me shëndetin, asaj I është dashur të përballet edhe me sjelljen e keqe të Bashkisë së Krujës, në momentin që ka shkuar për të kërkuar ndihmë.

Pensioni që merr, tregon nëna 64 vjecare, nuk I del për nevojat që ka.

Në momentet që bie shi, nëna largohet nga shtëpia e saj, me frikën se mos shemben muret. Kjo është frika e saj më e madhe. Ajo ka një lutje, kërkon t’i ndërtohet një dhomë, ku mund të jetojë vitet e pleqërisë, e qetë dhe pa frikë.

Fejzulla dhe Nurije Bilja, tregojne se per përgjatë këtyre dy viteve në shtëpinë e tyre nuk ka qenë askush që të interesohet për problemin e tyre, as nga pushteti qendror, e as nga ai lokal.

Të jetosh në çadër është e vështirë për Fejzullahun 77 vjeçarë. Edhe pse ekspertët I kanë thënë të mos hyjë në shtëpi, ai përsëri ka guxuar që në mbrëmje të flejë aty, si I vetmi vend, ku mund të qëndronte qetë, por me rrezikun se shtëpia mund ta zërë poshtë.

Burrë e grua tregojnë sfidat e vështirësitë që kanë kaluar përgjatë këtyre dy viteve. Për Fejzullahun shpresa për të ndërtuar shtëpinë e tij nuk ekziston më, ndërsa nënë Nurija thotë se shpresa tashmë është tek Zoti.

Ngjitur me shtëpinë e Fejzullahut, jeton vëllai I tij, I cili gjithashtu ka dëmtime në shtëpi. Fillimisht sipas zonjës së shtëpisë, Lumturije Bilja, ekspertët u kanë thënë që të mos jetojnë dhe të mos hyjnë në shtëpi, për shkak se mund t’I zërë brenda, por që letrat e inxhinerëve, e kanë nxjerrë shtëpinë për riparim. Kjo sipas kësaj familjeje është e padrejtë, duke qenë se shtëpia e tyre, tashmë mbahet vetëm me tre mure.

Edhe Lumturia ankohet se duke shkuar tek Bashkia e Krujës, nuk ka mundur asnjëherë të ketë një takim me kryetarin, e kjo për shkak se I thonë se ”Kryetari ka punë”.

Shtëpia e Naime Elezit është cilësuar nga ekspertët DS5. Por as ajo nuk e di se kur do t’I ndërtohet shtëpia e re. Jeton me bashkëshortin, 2 fëmijët dhe vjehrrën, san ë çadër e sa në një kontenier, që ia ka siguruar i vellai i saj. 42 vjeçarja tregon se jetesa jo në shtëpi për 2 fëmijët e saj, e vjehrrën ka qenë shumë e vështirë, për shkak se I ftohti në dimër, e I nxehti në verë ka ndikuar në shëndëetin e tyre.

Këto janë historitë njerëzorë të disa prej banorëve të fshatin Rranxë të Malësisë së Krujës. Banorët tashmë kanë dy vite që presin, përgjigje nuk u jep askush, përveç se përcillen nga institucionet lokale e qendrore. Ata kërkojnë që së paku dikush t’u sqarojë situatën, t’i dëgjojë, e t’i japë zgjidhje, hallit të vetëm që kanë, atë të ndërtimit të një shtëpie.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb