Të enjten paradite IKMT ka zbarkuar në Unazën e Re, ku ka njoftuar pronarët e objekteve që preken nga projekti, loti i dytë, që të boshatisin shtëpitë dhe dyqanet, pasi ditën e hënë do të rifillojë aksioni i shembjes.

Pronarët e objekteve pohuan për ‘News 24’ se IKMT ka dhënë urdhra verbale dhe se inspektorët nuk u kanë paraqitur asnjë shkresë, vendim apo projekt, që legjitimon aksionin e paralajmëruar për ditën e hënë.

Ka prej tyre që thonë se kanë fituar në shkallën e parë të gjyqësorit kundër shembjes së objektit.

Banorët e Unazës së Re thonë se u tradhtuan nga opozita, që sipas tyre, nuk po i mbështet më, duke i bërë thirrje Sali Berishës që të marrë në dorë fatet e Partisë Demokratike dhe të njerëzve që po persekutohen nga qeveria Rama.

Ilir Katiraj, personi që goditi me çizme kryeministrin Rama, thotë se nuk do të lejojë askënd që t’i afrohet shtëpisë së tij, të cilën ka vendosur ta mbrojë me çdo mjet e mënyrë nga shembja.

Banorët e Astirit, që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe, kanë paralajmëruar, nga sot, rikthimin e protestave në orën 5 të pasdites.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb