TIRANË

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri ka folur sot në një bashkëbisedime me gazetarët për profilin e mundshëm të Presidentit të ri të vendit. Ai tha se duhet të jetë një njeri pa interesa politike dhe se pas krijimit të profilit do të vijë dhe emri.

Gjiknuri theksoi se gjetja e një profili të këtyre kontureve, pra pa ambicie të mëtejshme politike, krijohen kushtet për emrin.

“Në momentin që diskutojmë për profil dhe jemi të hapur për emra mund të jetë një emër që të ketë pëlqyeshmërinë e të dyja palëve. Kështu që nuk kemi pse të paragjykojmë, qoftë emra që vijnë nga opozita apo dhe emra që mund të vijnë nga maxhoranca.
Në momentin që ulemi dhe diskutojmë për një profil aty janë të gjitha mundësitë që të fillojmë të ngushtojmë dhe numrin e kandidatëve të cilët i përshtaten këtij profili. Kur ulesh për negociatë, ulesh pa paragjykime, por mbi disa parime.
Parimet janë të gjejmë një profil të asaj që ne e kemi thënë publikisht. Të jetë një njeri pa interesa të çastit politik, pa plane politike që të mos ta kontaminojë zyrën e Presidentit nga axhenda e tij politike siç ishte rasti i Ilir Metës që vërtetë u zgjodh se ishte pjesë e maxhorancës në atë kohë, por momentin që vajti President dhe si u zhvillua dinamika e ngjarjeve në vend, ai u duk qartë që kishte plane për periudhën pas zyre dhe gjatë 5 viteve në Presidencë punoi si të imponohej si figurë e mundshme e lidershipit të ardhshëm opozitar gjë që po evidentohet përditë. Gjetja e një profili të këtyre kontureve, pra pa ambicie të mëtejshme politike sepse ajo është gjëja e parë që kontaminon zyrën, një zyrë ku mendohet të jesh mbi palët, në momentin që zhvishesh nga interesat politike të së ardhmes je në kushte shumë të mira. Siç ishte rasti i Presidentit Moisiu. Nuk do të thotë të mos ketë qenë politikan. Ka njerëz që kanë qenë politikanë, e kanë mbyllur karrierën e tyre në politikë dhe e kanë mbyllur interesin e tyre politik aktiv dhe janë në pozicione të favorshme për të qenë një balancë shumë e mirë e pushtetit dhe këtë presin shqiptarët.
Emri është një gjë që do të dalë pasi të biem dakord për profilin më të mirë të mundshëm të Presidentit që meritojnë shqiptarët”, deklaroi Gjiknuri.

A do ulej me “Rithemelimin”? Gjiknuri: Alibeaj nuk është shkarkuar, Berisha person “non grata”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri,deklaroi se në negociatat për emrin e ri të Presidentit, Enkelejd Alibeaj vijon të përfaqësojë Grupin Parlamentar të PD-së. Gjiknuri nënvizoi se procesi I negociatave për presidentin ka një format zyrtar. “Procesi i negocimit ka në format zyrtar se si zhvillohet. Do të thotë që janë grupet e njohura të regjistruara në Kuvend ,por unë besoj se nuk e pengon qoftë dhe grupimin që është në Kuvend, që është i njohur zyrtarisht të dialogojë me të gjithë copëzat e PD sepse ata vetë kanë thënë që ne jemi në një proces që po mundohemi të bashkohemi. Pse të mos jetë dhe ky një proces bashkimi që përfaqësia e tyre zyrtare në tavolinën e negociatave të dalë me një kandidat. Ka procedura se si certifikohen se mund të ketë shumë vetë shkarkime dhe vetë shpallje. Në Kuvend ka disa procedura. Dhe për aq kohë që Alibeaj përfaqëson opozitën dhe është kryetari i grupit të asaj force. Do të jetë në tryezë. Unë nuk di të jetë shkarkuar Alibeaj. Se çfarë ndodh në PD është problem i tyre. Unë them që të gjejnë brenda tyre me negocim.” tha Gjiknuri.
Ai nënvizoi se Berisha mbetet një person “non grata”. “Nëse Alibeaj kërkon të bashkojë grupin e PD me një emër të Presidentit është në rregull. Berisha për ne nuk ekziston si faktor politik. Por nëse Alibeaj me të tjerë, se vetëm Berishën dimë “Non Grata”. Por nëse ata vijnë pas Alibeaj për një kandidaturë që i bashkon ata. Unë e mirëpres. Të mblidhet të diskutojnë brenda PD. Hodha një ide.” tha Gjiknuri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb