Vijojnë replikat në Kuvend mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha. Me tone të ashpra, Rama i ka kërkuar Bashës të bëjë kujdes me fjalët që thotë nga foltorja, pasi sipas tij, e ndjekin edhe fëmijë, teksa iu referua deklaratës së kryedemokratit se “njëherë kafshova unë dhe u zhduke 3 javë”.

Rama i bëri thirrje Bashës që të “zgjohet”, pasi është ora 12 e drekës dhe nuk mund të përdorë një fjalor të tillë, duke theksuar se “Ca janë këto që po bën, je në orën 12 të drekës, zgjohu. E di nga e ke, me aleatin që ke pasur në krah, me kafshime në vesh e qafë, por mos na bëjë qesharakë të gjithëve këtu”.

Pjesë nga replika e Ramës:
Nuk po zgjatem shumë, por unë e kuptoj, se pse të duhet ty Lulzim kjo retorika e trimit të madh që s’ka shokë shumë, dhe që ka përballë frikacakë, që nuk ja dalin dot të ballafaqohen me sfidat e këtij trimi. Kjo është shumë e qartë, por edhe njëherë, do ta bëj këtë parantezë, deri kur të humbasë shpresën e të mos angazhohem më në këto lloj debatesh, respekto që të të respektojnë. Nuk mundesh dot ti, apo qoftë një forcë politike, që në përpjekjen për të realizuar një objektiv të vetin, duke mos pasur shumicën, të dhunojë verbalisht rivalin. Nuk e bën dot këtë, nuk funksionon. Fatkeqësia është që ti e ke provuar shumë shpesh, dhe sa herë e ke provuar, aq herë të është kthyer mbrapsht. Aq herë sa ke mbajtur këto fjalimet këtu, me orën që ka ardhur, me pengjet, aq herë ke dështuar. Këto dokrrat e tua me trimëri e me ndershmëri e me pathyeshmëri thuaja vetes, po mos dil këtu që të shfrytëzosh këtë foltore si Beni që ecën vetë natën e këndon që të mundë frikën. Të lutem, se u bëre qesharak fare. Nëse do të bësh procese në parlament, bashkë me ne, për ato nisma që ke lancuar, duhet të kuptosh se ne nuk kemi kohë për të humbur, por angazhohemi me gjithë kohën për t’i bërë këto seriozisht.

Zotërote e ke treguar që jo vetëm me shifrat, por edhe me gërmat ke probleme. Tani më vjen shumë keq, ti ke leximin tënd, puna jote, por ne nuk mund dot të hyjmë në proces ndryshimi Kushtetute e ligjesh, duke të besuar ty se si lexon ti. Këto bëhen me dialog mes palëve të PS e PD, të cilët bën mirë shumë t’i respektosh, nëse nuk do që ta ndërpresim përfundimisht këtë mënyrë komunikimi, e jo të guxosh të nxjerrësh nga goja ato që nxjerr ti, se shkon deri te kafshimet tani, se ke qenë dhe aleat me atë që kafshon ti. Goxha burrë, kafshoja, kur kafshoj unë. Ca janë këto që po bën, je në orën 12 të drekës, zgjohu. E di nga e ke, me aleatin që ke pasur në krah, me kafshime në vesh e qafë, por mos na bëjë qesharakë të gjithëve këtu. Po them që kostoja e ndërtimit është me metër katror, kur vjen fjala për shkolla, apartamente, njësi ndërtimi, nuk është me sasi Lulzim. Kostoja e ndërtimit për metër katror është mesatarja 47 mijë lekë. Janë 400 kompani Lulzim, që nga ato të projektimit, te ato të ndërtimit, që janë angazhuar për rindërtimin. I gjithë programi i rindërtimit është më pak se gjysma e asaj rrugës Durrës-Kukës, që vazhdon akoma sot ndërtohet. Këto janë faktet, shko merr shifrat e hajde ballafaqohu. Shifrat nuk janë si ai vettingu që ke ti në kokë. Shifrat janë shifra, s’mund t’i kthesh në opinione. Mos u merr me shifra, se nuk i kupton, ke treguar historikisht se nuk i kupton. Ti nuk kupton gërmat. Tregon ti çfarë tregon FMN e Venecia, po ku di ti. Ti i merr sipas asaj këngës së radhës, që ke.

Nëse mendon ti se do bësh këtu nisma me ultimatume, nga kjo selia këtu afër, harroje. Nuk mund të flasësh ti për njerëzit, kur edhe në selinë tënde futesh nga mbrapa, nuk futesh dot nga para ditën, se ka njerëz aty dhe nuk e di çfarë foltoreje të shfaqet. Jo vetëm që nuk i heq asnjë presje për ato që kam thënë për PPP dhe nuk kompleksohem fare.

Më 29 nëntor hapet Rruga e Arbrit, që të kalojnë njerëzit me të vetmin problem, në Qafën e Murrizit, dhe gjithë pjesa tjetër është gati. Ja çfarë bën këtu PPP. Nëse ajo që ndodhi me tunelin e Murrizit, dëgjo këtu Lulzim të mësosh noj gjë, nëse do të ndodhte me tunelin e Murrizit ajo që ndodhi, dhe ajo të ishte me buxhetin e shtetit, do na duhej të nxirrnim një mal me lekë, siç keni bërë ju bashkë me llumin. Ke qenë ti me llumin atje, në majë të daulles. Kur erdhi puna, pasi i re daulles atje bashkë me llumin, u deshën sa e sa para për të vazhduar për t’u marrë me rrëshqitje e lemeritë e projektit. Apo me Çukë Qafë Plloq, sikur kishit bërë aty trampolinë. Këto janë projektet tuaja, kurse me PPP ne s’kemi punë fare, i themi kompanisë t ëdoli tuneli me atë përbërje teknologjike dhe s’kemi punë fare. Ne thjesht do të paguajmë në vite kthimin e investimit për një rrugë që më 29 nëntor është gati aty.

Merre dhe deputeten e Dibrës dhe kaloni më 29, por kujdes se nga ajo rruga ka shumë foltore. Lulzim lëri këto, këto janë hallet tuaja, jo tonat. Lulzim këto nuk janë për këtu, s’ka asnjë problem, që në politikë je në garë, edhe fiton, edhe humbet. Ti duhet ta ndash mirë tani, çfarë e ke marrë falë llumit dhe çfarë ke marrë falë vetes. Deri tani bilanci anon nga llumi, pa të ti s’do ishe këtu fare. Prandaj mos hajde të na bësh neve moral e leksione, apo të përsëritësh këngën e llumit. Interesi cinik është i qartë, ndërsa interesi ynë dhe i vendit është diçka tjetër. Nëse ti do vazhdosh të vish këtu me të shara, me baltë, me akuza dhe me një gjuhë, që të turpëron ty si prind dhe ne të gjithëve si prindër, që japim mësime këtu për kafshimin, imagjino çfarë mendojnë fëmijët kur shohin një profesor me kollare, që i thotë një plaku “unë të kam kafshuar”. Mblidh mendjen Lulzim se këtu është serioze.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb