Policia e Shtetit ka ndaluar dy shtetas francezë një 33-vjeçar dhe një 26-vjeçare të kërkuar nga drejtësia franceze për disa vepra penale.

Operacioni “Start” është kryer nga Njësia Speciale “FAST”, për kapjen e personave në kërkim dhe në koordinim nga Interpol Tirana.

“Në vijim të shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe homologëve për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe pas koordinimit të veprimeve me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë e Durrës për lokalizimin e vendndodhjes së personave që kërkoheshin, Njësia Speciale ‘FAST’, për kapjen e personave në kërkim, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar ‘Start'”, njofton Policia e Shtetit.

Si rezultat i operacionit u bë e mundur që në Tiranë, të kapej dhe të arrestohej shtetasja franceze C. F., 26 vjeçe, si dhe në Durrës të kapej e arrestohej shtetasi francez A. Gh., 33 vjeç, të cilët ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi:

Autoritetet gjyqësore franceze të Gjykatës së Lartë Lorent, Francë kanë lëshuar urdhër-arrestin për këta shtetas, për veprat penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim”, “Falsifikimi i çeqeve” dhe “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, parashikuar nga nenet e Kodit Penal francez. Arrestimi i tyre u bë me qëllim ekstradimin drejt Francës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb