Në Siri, milicët kurdë kanë sërish nën kontroll qytetin strategjik të Tal Hamisit, në verilindje të vendit. Ndërkaq, ISIS liroi sot 19 të krishterë të tjerë, pas 29-ve që i liroi dje. Janë të gjithë asirë, të marrë peng në zonën e Hasakës ditë më parë. Sipas Rrjetit asir për të drejtat e njeriut, të krishterët, të cilët janë gjykuar me anë të sharisë(ligji islamik), janë liruar pas pagesës së “jizya”, taksës për jo myslimanët. Lajmi bëhet publik nga Vatikani.

Edhe në nëntorin e kaluar, disa asirë u liruan, pasi paguan 1700 dollarë për person. Në duart e terroristëve të Shtetit Islamik mbeten rreth 200 të krishterë të tjerë. Mbi gjendjen në vend, tregon jezuiti sirian, at Mourad Abou-Seif:

“E keqja po i prek të gjithë! Nuk mund të thuhet që një bashkësi vuan më shumë se tjetra: të krishterët jetojnë me myslimanët, krah për krah, e pësojnë nga e keqja, ashtu si gjithë Siria. Ndoshta, të krishterët janë më të shqetësuar për të ardhmen e tyre e përpiqen të kuptojnë ç’po ndodh në të vërtetë. Kur ka kaq pak shpresë, si tani, e ardhmja nuk premton shumë, por të tashmen e jetojnë si gjithë të tjerët.

Të krishterët janë gjithnjë e më shumë viktimma abuzimesh

Është e vërtetë e mund të them se gjërat po ndryshojnë, pasi më parë ekstremistët kontrollonin vendet e banuara nga të krishterë dhe ekzistonte mundësia t’i trajtonin mirë. Si pakicë, por nuk dërgoheshin në gjyq e as shfaroseshin, si tani. Duket, se ky ndryshim është mesazh i grupeve ekstremiste për Perëndimin, pikërisht përmes të krishterëve të Lindjes së Mesme, siç pamë në mesazhin e grupit, që theri 21 egjiptianë koptë.

Para këtij kërcënimi, sipas jush, cili duhet të jetë reagimi i bashkësisë ndërkombëtare?

Kam përshtypjen se bashkësia ndërkombëtare ka qenë praktikisht indiferente para këtyre ngjarjeve. Përpjekjet për ndihmë ishin sikur problemi i Sirisë dhe i gjithë Lindjes së Mesme nuk u përkiste. Por tani, duket se po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se kjo është e keqe, që prek botën mbarë. Ka një vetëdije të re për rëndësinë e fenomenit: tashmë e konsiderojnë si një kancer, që po përhapet në të gjithë botën. Prandaj, sipas meje, janë të nevojshme masa të tjera.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: