Detaje të reja kanë dalë në dritë nga grabitja e BKT në Koplik.
Gazetari Senad Nikshiqi raporton për “BalkanWeb” se tre persona, të maskuar e të armatosur, kanë marrë një shumë parash e më pas janë larguar në drejtim të paditur.
Gazetari Nikshiqi mëson se ata janë larguar me një makinë tip “Golf” të zi, ndërsa për fat të mirë, nuk ka raportime për persona të lënduar.
Po ashtu mësohet se personat, ende të paidentifikuar, pasi kanë djegur automjetin e tyre, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, një automjet tjetër tip “Benz” të një qytetari të rastit dhe janë larguar.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Malësi e Madhe/Informacion paraprak
Rreth orës 14:10, jemi njoftuar se disa persona të paidentifikuar kanë vjedhur, nën kërcënimin e armës, një shumë parash në filialin e një banke të nivelit të dytë, në Koplik, Malësi e Madhe, dhe më pas janë larguar me një mjet tip “Volkswagen”, të cilin e kanë djegur në dalje të qytetit. Personat, ende të paidentifikuar, pasi kanë djegur automjetin e tyre, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, një automjet tjetër tip “Benz” të një qytetari të rastit dhe janë larguar.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe grupe të FNSH Shkodër.
Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe sqarimin e plotë të rrethanave të saj.
(BalkanWeb)