Nga: ERJON BRAÇE*
Unë mendoj se ne nuk kemi nevojë të ndryshojmë në nivelin e poshtëm tatimin mbi të ardhurat nga puna! Thjesht, ne kemi nevojë të mbledhim tatimet e taksat! Vetëm kaq!
Dështimi për të bërë këtë nuk mund të na kthejë pas, në tatime të reja e të rritura për punëtorët!
Nuk ka para aty! Paratë apo të ardhurat për buxhetin janë gjetkë! Ato duhet të mbledhim! Duhet vullnet politik, ligjshmëri e disiplinë fiskale!
Nuk di cili është eksperti që ka hedhur në publik shkallën e re të tatimit të të ardhurave nga puna. Por di të them që ai “propozim” (nëse ekziston), hedh poshtë një nga pikat më të rëndësishme të programit tonë, elementin kyç – tatimin progresiv të të ardhurave nga puna, qiratë, depozitat, dividentët, aksionet, kapitali në përgjithësi. Siç është nuk u zbatua i plotë! Por, kjo nuk do të thotë që edhe një herë tatimi të ndryshojë për pjesën e të ardhurave nga puna.
Siç ishte dy vite më parë – për 8 vite me radhë,
natyrisht që i ndihu pabarazisë. Është shumë e qartë,
norma e fitimeve nga kapitali është shumë më e madhe se norma e fitimeve nga puna. Gjithnjë! Ndaj, unë jam kundër kësaj skeme që po lexoj. Në anën tjetër, mosmbledhja e tatimeve dhe taksave po ndikon ndjeshëm në pabarazi!
Paratë që nuk mblidhen, pasurojnë gjithnjë një grusht njerëzish, një grusht kompanish. Ndaj tani duhet vendosur qartë ç’do të bëhet me fitimet nga nafta, prodhimi e përpunimi, ç’do të bëhet me evazionin dhe mashtrimet – për mua shumë, shumë të madh, në këtë industri, gjithë zinxhirin që e ka burimin atje.
Ç’do të bëhet me fitimet nga mineralet e tjera, krom, bakër, ar etj., prodhimi e përpunimi. Ç’do të bëhet me evazionin dhe mashtrimet – për mua të llahtarshëm, në këtë industri, gjithë zinxhirin që e ka burimin atje.
Mbi të gjitha, ç’do të behet me vjedhjet në të dyja këto degë! Për mua, vjedhjet janë të mëdha në naftë e minerale dhe ky është krim penal. Më tej, çdo të bëhet me të ardhurat nga kapitali, qiratë prej pasurive të patundshme, dividentët, aksionet, ku evazioni dhe mashtrimet janë të mëdha. Në fund: Është e papranueshme që evazioni të kthehet në biznes në dogana, është shumë i madh deficiti atje. E di që ka shkaqe të tjera përtej evazionit, por së pari duhet t’i japim fund abuzimit të cilitdo doganieri apo grupi doganieresh, menjëherë!

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: