Në kuadrin e përmbushjes së detyrimit të vet ligjor për “mbikëqyrjen e zbatimit të kodeve dhe rregulloreve nga OSHMA-të”, Këshilli i Ankesave, në përbërje të Autoritetit të Mediave Audiovizive, ndërmori verifikimin e standardit të pasqyrimit mediatik të ngjarjes në Brataj/Selenicë (përfshirë abuzimin e dyshuar seksual të një të miture) dhe atentatit në Fushë Krujë.

Nga këqyrja e përmbajtjeve audiovizive përkatëse, rezultoi, se gjatë raportimit të abuzimit të dyshuar seksual të së miturës 17-vjeçare, mediat publikuan të dhëna rrethanore, që mundësuan identifikimin e viktimës së dyshuar, transmetuan intervistën e të atit pa teknologjinë e përshtatshme të mbulimit të identitetit, intervistuan të miturën nga disa media njëkohësisht dhe, ndonëse nuk e transmetuan në edicionet e lajmeve, hodhën në YouTube intervistën e saj të plotë, filmuar përballë dhe pa u trajtuar me teknologjinë e përshtatshme të mbulimit të identitetit.

“Paralelisht me tërheqjen e vëmendjes së OSHMA-ve, nisur nga fakti, se si burim i parë i të dhënave rrethanore dhe shoqërore, që zbulonin identitetin e të prekurve të ngjarjes së Selenicës, shërbeu njoftimi i Policisë së Shtetit, në kuadrin e “Sistemit të integruar të mbrojtjes” dhe “Interesit më të lartë të fëmijës” që sugjeron ligji “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive ju drejtua edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për t’i sjellë në vëmendje detyrimin mbarëshoqëror “për të mbrojtur në të gjitha situatat privatësinë e fëmijës” (Ligji 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, Neni 17/Pika 2) dhe për të mos publikuar të dhënat personale të fëmijës gjatë zhvillimit të procedurave administrative e gjyqësore (Neni 29/Pika 6); detyrimin e agjencive ligjzbatuese për të mos publikuar “asnjë informacion, që mund të çojë në identifikimin e të miturit viktimë ose dëshmitar të një vepre penale” (Ligji 37/2017, Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, Neni 21/Pika 2) si edhe detyrimin e organeve të Policisë së Shtetit, që përpunimin e të dhënave personale ta kufizojnë “vetëm në të dhënat e nevojshme për ndalimin e një rreziku real ndaj rendit e sigurisë publike si dhe për parandalimin, zbulimin, ndjekjen dhe hetimin e veprave penale” (Ligji 108/2014 “Për policinë e shtetit”, Neni 124/Pika 1). Autoriteti i Mediave Audiovizive u bën thirrje të gjitha palëve, për më shumë angazhim dhe bashkëpunim në kuadrin e sistemit të integruar të mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijës, duke shprehur besimin, se si OSHMA-të ashtu edhe institucionet do të arrijnë të ndahen nga praktikat shmangëse të të menduarit dhe vepruarit në këtë kuadër”, thuhet në njoftim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: