Akuzave të kryeministrit Rama se gjithë çfarë thotë Basha për harxhimin e parave të shtetit janë përralla, iu përgjigj kryedemokrati nga tryeza ku po bashkëbisedonte me gazetarët.

Basha tha që qëllimi i Ramës është t’ju shmanget fakteve që PD-ja nxjerr çdo ditë, ndërsa shton se kjo është taktikë e tij për t’ju hedhur hi syve shqiptarëve.

“Të merrem me gojën e tij të shthurur është pikërisht ajo që do ai, është tentativë për të hequr dorë nga faktet, milionat e vjedhura ditë përditë, testimet nuk qenkan përgjegjësi e tij? Ky që del 24 orë në ditë për gjënë më të vogël për përhapjen e virusit, a ka njeri që e beson këtë?

Ky njeri gjatë kësaj jave ka thënë lloj- lloj gjërash për të hequr vëmendjen nga problemet reale. Ju këkroj si shoqëri: Mos e lejoni të na hedhë hi syve, të na e shesë sapunin për djathë! Faktet janë këtu, paratë nuk po ruhen për ditë të zezë, po shkojnë në vrimat e zeza të mafias, paratë po vidhen ndaj s’ka testime, ndaj dje Manastirliu e thotë do vendosim kush do jetojë e kush do vdesë. Ky është krimi më i rëndë”,- tha Basha.

Kreu i PD-së, duke iu përgjigjur gazetarëve, të cilët e pyetën nëse PD-ja do hynte në zgjedhje pas shkeljes së marrëveshjes së 5 qershorit, tha se një gjë ishte e sigurt: Pas 25 qershorit Rama nuk do kishte më mundësi t’i mashtronte shqiptarët.

“Nuk ka formulë ta ndalë ndryshimin, e duan 90% e shqiptarëve, do bëjmë gjithçka që ndryshimi të vijë me koston më të ulët, por që ai të mos tallet me shqiptarët. Hakun do ta marrë, mirë do ishte ta merrte me votë. Më 25 prill nis një ndryshim për të gjithë njerëzit. Se si, qysh, tek është në dorën tonë dhe të atyre që e duan ndryshimin. Ai duhet të lejojë që ndryshimi të bëhet me votë, por hakun do ta marrë me çfardollojë mënyrë. Skenarin do ua detyrojë ai shqiptarëve . S’ka më mundësi zgjedhjeje ai që iu thotë shqiptarëve: ti do kurohesh, ti jo”,- shtoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb