Mund të kesh mllef ndaj këtij pushteti të sotëm. Mund të shohësh errët dhe të kesh mungesë të plotë perspektive me këtë qeveri të sotme që ke mbi krye dhe që pas 24 orëve do ta kesh edhe në të 61 bashkitë e vendit. Mund të jesh i papunë ose të të rrezikohet vendi i punës në bashki nga ardhja e kryetarëve të rinj rozë. Mund të të duket se ky pushtet sot i ka rrëmbyer të gjitha: Kuvendin, qeverinë, prokurorinë.

Madje, po rreket të gllabërojë edhe gjykatat, me ndikimin e dukshëm dhe të padukshëm mbi reformën në drejtësi. Ky pushtet mund të jetë për ty mbajtës e përçues i shumë të këqijave, që po i djegin shpresën këtij vendi dhe kanë bërë 300 mijë bashkëqytetarë tanë t’i largohen nga sytë këmbët këtij trualli në 5 vitet e fundit. Kapjen e shtetit, klientelizmin pa cak, betonimin e tenderave për sipërmarrësit rozë, lidhjet me bandat, me parelinjtë me të kaluar të dyshimtë e me radhë. 30 qershorin mund edhe ta shohësh si një fatkeqësi.

Si një pushtet pa kufi të shumicës së sotme mbi të 61 bashkitë e vendit. Mund të kesh deri edhe urrejtje patologjike ndaj njeriut emblemë të këtij pushteti. Kryeministrit të sotëm, por nuk ke punë të dhunosh shkollat. As edhe një klasë të vetme. Pavarësisht se aty mund të ketë materiale për votime. Shkolla është pasuria më e madhe qe kemi si komb. Është e shenjtë. Është djepi i dijes dhe shpresa për të ardhmen e këtij vendi. As zjarrvënësit dhe bandat e vitit të mbrapshtë 1997 nuk dogjën shkollat. Nuk u morën me to. As në veri, as në jug.

Në keni Perëndi, ndaluni! Nuk mund të digjen shkollat për llogari mbajtjeje apo fitimi pushteti. Shkolla “Ndre Mjeda” në Vaun e Dejës, e djegur parmbrëmë duhet rindërtuar urgjentisht. Të nisë puna për riparimin e çfarë ka ngelur prej saj që më 1 korrik. Gjithkush në industrinë publike të dijes tek ne duhet të ndihet përgjegjës për këtë. Ministria e Arsimit të hapë një ose disa llogari bankare, ku të kontribuojmë të gjithë si qytetarë. Të bëjë edhe thirrje publike për kontribute. Për këtë apeloj ministren e sotme të Arsimit. Lutem, hapini këto llogari zonja ministre! Nuk ju kushton as para, as kohë ta bëni këtë veprim. Nuk do të jetë një nismë pa kuptim, jua garantoj.

Ju lutem, kuptojeni rëndësinë e momentit ku jemi. Jepuni mundësi qytetarëve dhe sipërmarrësve të kontribuojnë. Të shikoni që do të jenë me mijëra. Në mos dhjetëra-mijëra. Vendi ynë ka nevojë pikërisht tani, kur duket si i ndarë në dysh nga pesha e konfliktit politik. Kur data 30 qershor që vjen vetëm pas 24 orëve, ngjan me ditën e kiametit dhe të kataklizmës biblike. Jo! Kjo ditë nuk do të jetë as njëra dhe as tjetra fatkeqësi. Por duhet të kontribuojmë të gjithë për këtë. Për të çdramatizuar ngarkesat psikologjike të kësaj dite. Një shkollë e djegur mund të na bashkojë. Të mos e djegim për herë të dytë shkollën 9-vjeçare “Ndre Mjeda” me indiferencën tonë!

Të mos e lëmë në fatin e saj të sotëm të keq. Një shkollë është shëmbëlltyrë e fëmijëve tanë. Sikurse jemi gati të japim kursimet e jetës për arsimimin e tyre, mund të kontribuojmë tani me aq sa ta gjykojmë për ringritjen e kësaj shkolle. Nuk ka gjë më të goditur se të bashkohemi rreth një shkolle. Rreth djepit të diturisë. Si garanci për të ardhmen jo të vrarë të vendit tonë. Ju lutem zonja ministre e Arsimit! Na e jepni këtë mundësi të kontribuojmë. Hapini llogaritë dhe bëjeni thirrjen publike për të dhuruar të gjithë diçka për të ringritur shkollën “Ndre Mjeda”. Ringritja sa më shpejt e saj do të na ringrejë moralisht si komb, të jeni e sigurt. Pikërisht tani që ngjan sikur një datë votimesh mund të na ndajë pambarim. Kjo nuk ka si të ndodhë dhe nuk ka për të ndodhur, nëse bashkohemi, madje edhe paqtohemi rreth një shkolle. E ardhmja e fëmijëve tanë duhet të na kthejë në rrugën e arsyes. Ju lutem zonja ministre e Arsimit! Me dhurime nga sipërmarrësit dhe me kontribute të marra nga qytetarët, kjo shkollë mund të kthehet në gjendjen që ishte edhe për vetëm tre muaj korrik-shtator 2019! Që nxënësit të ulen në fillimin e vitit shkollor në klasat e djegura 3 muaj më parë. Kjo shkollë mund të mundë urrejtjen dhe ndarjen që vjen nga një datë 30 qershor, që politika e verbër e ditës na e bëri të përbindshme. Na e jepni këtë mundësi!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb