Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka bërë thirrje anëtarëve të PS që të tregojnë opinionet e tyre për kryetarët e bashkisë dhe strukturave drejtuese nëpër qytetet e vendit. Rama tha se kjo duhet kthyer në një kulturë pune për PS, në mënyrë që të mos përballen me humbje ose kryebashkiakë të arrestuar.

Sakaq, ai tregoi se do të nisin një tur kongresesh, ku në maj-qershor, pritet të fillohet me kongresin e fermerëve, arsimit e kështu me radhë. Kushdo do jetë i ftuar sipas kryeministrit, për të dhënë idenë dhe vizionin e tij që gjërat të bëhen më mirë dhe ndryshe.

“Si të presim ne që një kryetari bashkie t’i dali boja fare dhe ne ta marrim vesh ose kur përfundon në burg ose kur humbet zgjedhjet. Kjo s’duhet të ndodhi. Përderisa këshillat bashkiakë nuk e luajnë rolin e tyre dhe kjo është përgjegjësi e madhe, janë të konfirmuar komplet atje dhe nga ana tjetër shumë drejtorë të PS, nuk e luajnë rolin e tyre, atëherë duhet të lidhemi direkt me ta. Anëtarësia e partisë duhet të ketë mundësinë të shprehet, e më pas vijmë në kongres dhe diskutojmë rezultatet. Që të mos them se kjo gjë duhet shtrirë edhe përtej anëtarësisë.

Cilido që është anëtar partie duhet pyetur se sa i kënaqur është nga kryetari i bashkisë, përfaqësuesit në territor. Mirë këtu, po atje? Ku punët tona zvarriten në pisllëqe. Kush do e bëjë këtë për ne, nëse s’do e bëjë familja. E dyta, drejtuesit e qarqeve, kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë aspekt. Sigurisht edhe ata duhet të japin llogari në kongresin e llogarive. Partia duhet pyetur edhe për deputetët. Çfarë konsiderate ka atje për deputetët e qarkut të vet apo të bashkisë së vet, që janë aty dhe më afër tyre. Ne kemi deputetë të shkëlqyer, e them me kuptimin e plotë të fjalës. Ka njerëz që rrinë dhe ndjekin çdo gjë në terren. Kemi deputetë që për herë të fundit atje kanë qenë ditën kur janë numëruar votat. Kemi deputetë që shkojnë në territore më pak se shkojnë drejtuesit e qarkut. Me çfarë të drejte?! Për këtë duhet të bëhet llogaridhënia. Duhet të kemi forcën tonë për të dëgjuar çdo opinion. Unë jam kundra teorive që mendimi ndryshe, zëri ndryshe për të bërë telenovela. Fryma kritike, opinionet kritike, duhet t’i kthejnë nga frymë dhe opinione kafenesh, sepse atje flasin të gjithë, patjetër, këtu në kongres. Të cohën anëtarët, këtu jemi të gjithë të barabartë, s’ka hierarki. Elementi tjetër është partia digjitale. Jemi ende në kohë, kemi ende shumë kohë që po e them. Nuk më rezulton që është kuptuar. Gjithmonë dhe më shumë, gjithçka do të shkojë aty te mroklla dhe gjithnjë dhe më pak do të bëhet në territor. Këtë e kemi diskutuar. Çdo aktivist i PS duhet të jetë dhe aktivist i PS digjital, është në telefon një jetë e tërë mediatike, politike. Përtej kësaj, duhet ta përdorim këtë mundësi për të bërë atë që bëjmë me këshillimin kombëtar. Anëtarët janë udhëheqja e partisë. Kongresi duhet të ketë në vazhdimësi mundësi të marri pjesë për një temë apo një temë tjetër. Duhet ta kemi aty forumin e kongresit, duhet të kemi aty forumet lokale, këshillat bashkiakë. Ne që jemi këtu duhet të kemi mundësi të ndjekim ç’a ndodh. Duhet që Partia Socialiste të bëhet shembulli i vëllazërisë. Kjo është e ardhmja e PS. Këtu do të ndahet suksesi nga dështimi i të ardhmes. Duhet bërë kjo parti një vëllazëri e lidhur me parime dhe me disa vlera e jo e lidhur me vendin e punës në shtet.

Kryetarët e partisë duhet të jenë njerëz që kur marrin mikrofonin t’i mishërojnë ato parime, siç ka çdo familje. Çdo familje e jona ka ato parime, ato vlera. Çdo prind i ka. Kështu duhet të jetë kjo parti. Pjesëmarrja s’duhet të jetë me fjalë, por reale. Përkatësia në këtë parti, duhet të jetë përkatësia në një vëllazëri. Të bëhemi shembull. Jo ne themi një gjë dhe më pas njerëzit shohin që ndodh diçka tjetër. E fundit është që ky format që bëmë sot, nuk është një format thjesht për të zgjeruar mediatikisht hapësirat e komunikimit, por lidhet me këtë që thash, kongreset duhet të jenë momente kulmore të ndërveprimit dhe marrjes së disa objektivave. Më pas ato duhet të zbërthehen. Drejtuesit e paneleve sot do të bëjnë edhe përmbylljen e Kongresit për të thënë se cilat gjërat do të merren në konsideratë. Do të ndërtojmë dhe një zinxhirë kongresesh problematike, si ajo për bujqësinë. Do të ftojmë të gjithë ata aktorët e sektorit, ekspertët, pedagogët e universitetit dhe me të gjitha temat e zinxhirit të bujqësisë. Do të bëjmë kongresin për arsimin. E kështu me radhë…

Për të qenë një hapësirë kur hynë dhe dalin mendime. S’ka nevojë të jesh anëtar i PS për të ardhur në kongresin e bujqësisë apo arsimit. Mjafton të jesh një individ që je i gatshëm t’i thuash mendimet e tua që nuk janë mendime partiake, por për të mirën e punës, që po u bë mirë i vjen në ndihmë të gjithëve. Votimet janë në 2025. Ne nuk kemi as zgjedhje dhe s’kemi nevojë për fushata. Do e bëjmë kulturë të punës ndërveprimin me njerëzit. Është shumë e rëndësishme që secili prej jush të kuptojë që ka një përgjegjësi familjare për këtë vend dhe njerëzit e këtij vendi, në këto kushte. Nuk i donim ne këto kriza. Nervat e njerëzve me të drejtë nuk janë çelik dhe ndjenjat e lodhjes kurohen që ç’ke me të, por kurohen duke pas ne një vullnet për t’i parë te çdo njeri që ju lidh puna, që vjen para jush për shkak të punës duhet parë si njeri i familjes dhe meqë ti vetë ke një copë pushtet, asnjëri këtu nuk pret as për hipotekën as për një dokument x a y, pse te tjerët duhet të presin padrejtësisht? Kjo duhet pas parasysh, nuk po them që të bëni ndonjë çudi por pak fare shtim vëmendjeje dhe nivelin e durimit, më besoni që kjo shoqëri merr atë injektim energjie pozitive që ka nevojë, nuk është çështje lekësh por të ndihesh me dinjitet kur puna të çon para shtetit tënd”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: